Thellohet edhe më shumë përçarja në radhët e drejtuesve të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Vendimi i kryetarit Dule për t’u rreshtuar përkrah opozitës ka provokuar reagime të ashpra jo vetëm në bazë, por edhe në strukturat e saj drejtuese. Kristo Goxhi, anëtar i këshillit kombëtar i PBDNJ, tha sot për mediat se brenda pak ditësh do të formohet një pol i ri në këtë parti që do të përfshijë të gjitha minoritetet në vend.

Kristo Goxhi: “Neve jemi duke negociuar me të gjithë faktorët në Shqipëri dhe jashtë saj me të gjithë emigrantët që janë larguar që këtej që të marrin fatet tona në dorë dhe të ndërtojmë polin tonë. Asnjëherë nuk është vonë. Poli ynë është ai që do të kërkojë të unifikojë të gjitha përçarjet e deritanishme në PBDNJ.”

Sipas Goxhit,  Vangjel Dule defakto nuk meriton të jetë më kryetar i kësaj partie pasi të gjitha veprimet e ndërmarra nga ai kanë qenë në kundërshtim me politikën dhe rregullat e brendshme të funksionimit të PBDNJ-së.

Kristo Goxhi: “Ky ishte dhe akti i fundit i arbitraritetit në Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pasi të tjera të ngjashme me këto kanë ndodhur këto 5-6 vjetët e fundit. Në fund të fundit, kryetari i kësaj partie me vendimin që mori përpara disa ditësh, por që e kishte marrë në kokën e tij që përpara disa vjetësh, përfundimisht defakto është shkëputur nga vetë partia e tij.”

Bashkimi PBDNJ-së me koalicionin e majtë opozitar është kundërshtuar dhe nga kryetari i OMONIA-s për Gjirokastrën Spiro Ksera i cili ka kërkuar dhe heqjen e emrit nga lista për kandidat të kësaj partie në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë, vendimin e Dules e kanë dënuar edhe shumë përfaqësues të minoritetit në Himare e Gjirokastër./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi