Siç kishin jetuar bashkërisht 15 vite pranë njëri-tjetrit duke e ndarë mërzinë e kurbetit ashtu u përcoll dhe në jetën e amshueshme vëllezërit Refik dhe Xhemal Asani nga fshati Sanakos i Gostivarit, të cilët humbën jetën në tërmetin katastrofal që goditi Italinë Qendrore më 6 Prill.
Merita fetare, ata u varrosën pranë njëri-tjetrit në varrezat e fshatit të lindjes, ku ishin grumbulluar mijëra banorë nga rrethina e Gostivarit dhe më gjerë për t’ua dhënë lamtumirën e fundit.
Për familjen e afërt dhimbja ishte e papërballueshme, mirëpo të shtyrë nga nevojat jetësore dhe kushtet e rënda ekonomike në Maqedoni djemtë e tyre do të jenë të detyruar të vazhdojnë rrugën gurbetqare të prindërve dhe përkundër tragjedisë së përjetuar.
“Shkuam vetëm për dokumente t’i rregullojmë. Jeta vazhdon.”
Në varrimin e tyre ishte prezent edhe Avdush Aliu nga fshati Sellc i Tetovës, i cili në tërmetin e ndodhur ka marrë lëndime të rënda.
“Më ka rënë çatia e shtëpisë poshtë. Duke qenë në dhomë brenda më ka rënë gjysma e odës. Kena provu me thirr, me dal nga dera, s’mundeshim me dal…”.
Dy kufoma sot u varrosën edhe në Bogovinë të Tetovës. Bashkë me Alena Ajrulin, e cila humbi jetën në tërmetin katastrofal në Itali u varros edhe gjyshi i saj, Xhevahir Ajruli.
I tronditur nga lajmi i kobshëm për vdekjen e mbesës 11-vjeçare ai ka pësuar infarkt dhe pas tre ditëve qëndrim në spitalin e Tetovës sot ka ndërruar jetë duke u varrosur pranë mbesës së vet.
Ndërkaq në Reçiz të Tetovës është varrosur Nuri Avdiu. Të shtunën në Negotinë do të varroset Valbona Osmani, e cila po ashtu humbi jetën në këtë tërmet.
Kufomat e viktimave janë sjellë sot në Maqedoni përmes Shqipërisë. Familjarët falënderojnë autoritetet shqiptare për sjelljen korrekte dhe ndihmën e dhënë si nga ambasada shqiptare në Romë, po ashtu edhe nga policia shqiptare, e cila i ka shoqëruar gjatë tërë rrugës.
Ndërkaq janë ankuar nga sjellja jo korrekte e autoriteteve doganore të Maqedonisë. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu