Komuna e Gostivarit pritet të jetë arena në të cilën do të zhvillohet gara më e paparashikueshme mes kandidatëve shqiptarë për kryetar komune në zgjedhjet lokale të 2 marsit në Maqedoni. Rufi Osmani që kthehet në politikë pas 12 viteve që kur policia maqedonase largoi nga posti i kryetarit të komunës përballohet me Nevzat Bejtjan kryetarin aktual, i cili llogaritet ndër kryetarët më të suksesshëm komunal në Maqedoni, në 4 vitet e kaluara.

Që të dy kanë përparësitë e veta. Rufi Osmani gëzon autoritet tek elektorati për shkak se në vitin 1997, si kryetar i komunës së Gostivarit u bë simbol i mbrojtjes së flamurit shqiptar, për ç’ka edhe u arrestua edhe nga policia. Përmes garës për postin e kryetarit të komunës ai synon të kthehet sërish në skenën politike shqiptare.

Rufi Osmani:Unë synoj që të rikthej një mandat i cili me dhunë mu mor para 12 viteve, të rehabilitoj qytetin tim dhe në këtë mënyrë të ofroj një alternativë të mirëfilltë e cila sot kryesisht do të konkurrojë me ide ekonomike, sociale, arsimore dhe të hapim një perspektivë të re zhvillimore për komunën e Gostivarit. Motivet janë më të shumta, do të përmend disa më karakteristike. Këto 12 vite të abstenimit tim politik, unë në mënyrë permanente jam ndesh me një kërkesë permanente të qytetarëve, të studentëve, të rinjve, të pleqve të rikthehem në skenën politike. Këto 12 vite kam pasur prioritete të tjera jetësore dhe kam vlerësuar dhe koha ka verifikuar se nuk ka qenë koha e përshtatshme për tu rikthyer në politikë. Pavarësisht se a fitoj ose nuk fitoj edhe pse unë jam i bindur se fitorja tashmë është evidente, unë vazhdoj dhe më tutje të merrem me politikë. Variante se si do të jetë ajo marrja ime me politikë, vetëm në kuadër të pushtetit komunal ose në kuadër të nivelit nacional do të vendoset në një fazë të ardhshme.”

Deri në kandidimin  e Rufi Osmanit, llogaritet se kryetari aktual i Gostivarit, Nevzat Bejtja pa ndonjë problem të madh do të fitojë edhe një mandat të ri. Ai personalisht është i bindur se as paraqitja e Osmanit nuk do t’ia prishë hesapin, sepse është i bindur se qytetarët do të vlerësojnë punën e tij gjatë 4 viteve të kaluara.

Nevzat Bejta:Për motivin dhe kandidimin tim, nuk është motivi im, por është motivi i shumicës së qytetarëve të komunës së Gostivarit, është motivi i të gjitha strukturave të Bashkimit Demokratik për Integrim, këtu në Gostivar edhe përkrahjen që kam pasur totale nga anëtarët e kryesisë qendror të udhëhequr nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, zoti Ali Ahmeti. Për shkak se për 4 vjet të qeverisjes time, në qytetin e Gostivarit ndodhën ndryshime të mëdhaja. Hymë në program, kemi parë realizimin e 100 projekteve, projektet ne i kemi bërë, por projekti si projekt nëse nuk ka leje ai nuk mund të realizohet asnjëherë dhe ne përveçse kemi bërë projekte, kemi bërë edhe leje.”

Përveç Bejtes dhe Osmanit për kreun komunal në komunën e Gostivarit e cila ka 70 mijë votues, garojnë edhe 4 kandidatë të tjerë. Mirëpo atyre nuk u jepen gjasa reale pë fitore.

Nga Gostivari për TV Klan Isen Saliu./tvklan.al