Përfundon kontrolli i 16 emigrantëve të parë që mbërritën këtë të mërkurë nga Italia në vendin tonë. Burime për gazetarin Martin Marku bëjnë të ditur se 12 prej tyre do të dërgohen në Gjadër. Ndërsa 4 të tjerë do të rikthehen në Itali. 2 për shkak se janë minorenë, ndërsa 2 të tjerë për shkak të problemeve shëndetësore.
Pas afro 1 viti nga firmosja e marrëveshjes mes kryeministrave Giorgia Meloni dhe Edi Rama për emigrantët, zbatimi i saj nisi ditën e sotme. Anija që u nis nga Lampedusa të hënën u ankorua në portin e Shëngjinit, mëngjesin e kësaj të mërkure.
Emigrantët do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit derisa të përfundojnë procedurat e azilit. Në bazë të marrëveshjes që është me afat 5-vjeçar, në vendin tonë pritet të vijnë 36 mijë refugjatë, të cilët do të shpëtohen në det nga autoritetet italiane./tvklan.al