Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fjodora Fjora:- Ka përfunduar në Porto Carras në zonën e Halkidikis, samiti treditor i Selanikut, i cili shënon edhe fundin e presidencës greke në krye të Bashkimit Europian. Duke filluar që nga data 1 Korrik, presidencën e radhës do ta marrë Italia. Në këtë samit u diskutuan çështje të ndryshme që preokupojnë liderët europian, madje një ditë e tij, pikërisht dita e fundit, i është kushtuar tërësisht Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria ka marrë pjesë me një takim zyrtar të nivelit të lartë, të përbërë nga presidenti Moisiu, kryeministri Nano dhe ministri i Integrimit Nako.

Pas përfundimeve të samitit dhe drekës së ofruar nga presidenti grek, liderët evropian kanë filluar të largohen menjëherë nga Selaniku, me avionët charter në drejtim të vendeve të tyre. Delegacioni i Kosovës është nisur dje në mesditë në drejtim të Prishtinës, ndërsa delegacioni shqiptar është nisur në mesditën e sotme nga rezidenca e Porto Carras dhe ka mbërritur në Shqipëri rreth orës 13:20 minuta.

Menjëherë pas mbërritjes së tyre në Rinas, presidenti Moisiu dhe kryeministri Nano, kanë dalë më një deklaratë të përbashkët për shtyp, përpara mediave shqiptare, ku kanë vlerësuar arritjet e samitit dhe kanë theksuar, se Shqipëria tashmë ka hyrë në rrugën e integrimit europian.

Presidenti Alfred Moisiu:- “Rrugët, portat për në BE, tashmë janë të hapura plotësisht, një arritje e dytë, unë mendoj ishte Kosova, e cila pavarësisht se nuk është përcaktuar statusi i saj përfundimtar, mori vendin e saj në Europë, në kuptimin e trajtimit, për zhvillimin, për shqetësimin për të ardhmen e saj krahas fondeve që kanë qenë të caktuar për Ballkanin Perëndimor, u caktua dhe një shifër tjetër suplementare dhe jo vetëm kaq, por u tha nga drejtuesit e BE, që këto fonde mund të vijnë në rritje në varësi të realizimit të detyrave të shtëpisë. Patjetër që këto detyra janë, ne i njohim, nuk janë të reja për ne, është çështja e realizimit të reformave, u arrit realizimi i kodit elektoral, i cili krijoi mundësi për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike të ndershme dhe reforma të tjera. Unë desha të them në fund, që nga takimet që pata me liderë të ndryshëm të vendeve europiane dhe ndërkombëtare të gjithë një zëri thanë, që imazhi i Shqipërisë është ndryshuar goxha”.

Kryeministri Fatos Nano:- “Bashkojë vlerësimin tim me të, për angazhimet që na presin, në një etapë shumë të rëndësishme historike, siç është kjo që ka nisur, me ecjen e sigurt në procesin e përafrimit të asociimit dhe të integrimit me BE, në një rajon që ka ndryshuar dhe të gjitha vendet kanë të njëjtat angazhime dhe reforma për të kryer. Dua ta mbyll, duke thënë është kënaqësi të përfaqësosh vendin, së bashku me kryetarin e shtetit dhe për mua personalisht ishte një eksperiencë shumë pozitive”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora