Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka ripërsëritur edhe njëherë përpara gazetarëve arsyet se pse thirri në një tryezë partitë opozitare. Një ftesë që në thelb i referohej nevojës për një angazhim në sinkron, kundër pasigurisë dhe për më shumë drejtësi.

Me një gjuhë të ashpër kundër kryeministrit Berisha, Rama parashtroi nevojën e një lufte opozitare, që zhvillohet në institucione.

Edi Rama: “Sali Berisha duhet ta kishte dhënë dorëheqjen menjëherë pas përfundimit të funeraleve të viktimave të Gërdecit dhe duhet të kishte shkuar në prokurori me këmbët e tij për të mos e mbajtur peng hetimin me duart e pushtetit. Por ne s’mund të mbetemi peng thjesht te kërkesa për dorëheqjen e tij, e të marrim me këmbët tona rrugën e vjetër të një konflikti tradicional të cilin gjithnjë, prej 17 vjetësh e ka ndezur politika e interesave personale, klanore, partiake dhe e paguan Shqipëria. Kush tjetër përveç nesh dhe ku tjetër përveç se në parlament, ne mund dhe duhet të garantojmë edhe buxhetet për hetimet e Gërdecit, që është kërkuar ka kohë nga prokuroria e përgjithshme dhe ende nuk është dhënë nga qeveria e të vetëquajtur Sali bollëku. Bollëkut të pisllëkut të keqqeverisjes së këtij vendi, opozita nuk mundet dhe nuk duhet t’i shtojë   ulërimat e një lufte të vjetër politike.”

Deklarata e Ramës u bënë të paktën 2 orë pas tryezës, e cila përveç se mblodhi për herë të parë Metën dhe Ramën pas shumë kohë, nuk solli një produkt final.

Kreu i LSI ka ripërsëritur qëndrimin tashmë të njohur për largimin e kryeministrit Berisha. Një qëndrim që duket se përbën dhe kushtin kryesor për bashkëpunim të kësaj force politike me PS.

Ilir Meta: “Ne ndajmë bindjen e pa lëkundur, si LSI se vetëm imponimi, jo kërkesa për dorëheqje të Sali Berishës, mund të çlirojë drejtësinë nga trysnia e jashtëzakonshme e tij, mund t’i japë prespektivë dhe shpresë qytetarëve shqiptar se do të ketë drejtësi edhe për Gërdecin, po dhe se do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.”

Prania e Vangjel Dules në takim surprizoi median, por jo vetë kreun e PBDNJ-së. Reforma, nevoja e qytetarëve për siguri dhe drejtësi përbëjnë për Dulen motive të forta për t’i thënë po kësaj ftese.

Vangjel Dule: “Është një çështje kjo e drejtësisë që kalon caqet partiake, i kalon caqet qeveritare të ditës dhe rrjedhimisht kështu duhet ta shikojmë të gjithë. Nuk e kuptoj çlidhje ka me moralin, të jesh në një qeveri dhe të bashkëbisedosh në të njëjtën kohë me çdo forcë politike pavarësisht nëse është në pozitë dhe në opozitë për drejtësinë dhe sigurinë.”

Paskal Milo: “Takimi i sotshëm ka shënuar hapin e parë drejt hedhjes së hapave të tjerë shumë më të rëndësishëm në të ardhmen për koordinimin  e qëndrimeve dhe të veprimeve të opozitës shqiptare.”

Pavarësisht mungesës së një produkti final, protagonistët kryesor të tyrezës Rama dhe Meta vlerësuan frymën pozitive të takimit. Dhe nëse ky është një afrim në qëndrime.

Edi Rama: “Metrin e vini ju.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi