Vijon të rëndohet bilanci i viktimave të përmbytjeve apokaliptike të pasdites së të Martës në juglindje të Spanjës, si pasojë e stuhisë së madhe Dana. Autoritetet lokale thanë këtë pasdite se numri i të vdekurve ka arritur në 95.
Bilanci mund të rëndohet akoma më shumë pasi një numër i madh banorësh mbeten të pagjetur në rajonin e Valencias, i godituri më rëndë nga përmbytjet dhe ku ka më shumë viktima.
Mbreti Felipe i 6-të tha se përmbytjet masive kanë shkatërruar infrastrukturën në qytezat Çiva, Bunjol dhe Utiel, duke bërë që kontakti me disa lokalitete të jetë i pamundur.
Këto pamje kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale ku tregohen momenti i shpëtimit i një gruaje nga forcat e emergjencës nga ajri.
Qeveria spanjolle ka angazhuar mbi 1 mijë trupa, për tu ardhur në ndihmë banorëve të izoluar. Hyrja nga toka është e pamundur për shkak të grumbujve masivë me automjete që u morën me vete nga ujërat e furishëm të përmbytjeve të shkaktuara nga lumenjtë e dalë nga shtrati.
Sasia e reshjeve të më shumë se një viti ra brenda 8 orëve. Stuhia Dana sipas autoriteteve spanjolle mund t’i drejtohet Seviljes.
Kryeministri Pedro Sançez tha se do të shpallen 3 ditë zie kombëtare, ndërsa tha se ekipet e shpëtimit janë në luftë me kohën për të ndihmuar banorët e izoluar.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ofroi ndihmën e BE-së për këto momente të vështira për Spanjën. Ekspertët thonë se katastrofë të tillë, Spanja nuk ka parë prej dekadash dhe se ky është një tjetër shembull i pasojave katastrofike të ngrohjes globale.
Tv Klan