Pas disa orë pyetjesh dhe ripyetjesh të Erion Kodrës, nga oficerët e Komisariatit Nr.2, si dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në lidhje me grabitjen e filialit të një banke në Tiranë, ai është lënë i lirë. Lirimi i tij është bërë i ditur nga burime të policisë së kryeqytetit.

Kodra është personi që shfaqej në një foto të siguruar nga policia prej kamerave të sigurisë së bankës. Në foto Kodra shihet se qëndron pranë hyrjes së bankës. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ai ka qëndruar aty për rreth një orë.

Pavarësisht kësaj, edhe pas ripyetjes për të disatën herë, policia nuk gjeti fakte që implikonin këtë person në grabitje, edhe pse të dhënat e para për të në fillim dukeshin të dyshimta.

Dy ditë më parë, filiali i një banke të nivelit të dytë në Tiranë, ra pre e grabitësve të armatosur. Autorët e maskuar me kapele me strehë dhe fytyrë të mbuluar me shall, hynë në bankë dhe nën kërcënimin e armës morën rreth 1 milionë lekë të reja.

Në largim e sipër, një prej autorëve i ra arma. Ata u larguan me një motor, që u gjet një ditë më vonë pranë Gjykatës së Tiranës.

Tv Klan