Trajtimi i ujit të ndotur si një nga praktikat moderne ka filluar të gjejë zbatim edhe në vendin tonë. Në bashkëpunim me qeverinë gjermane, Ministria e Transportit inauguroi impiantin e parë shkencor në fshatin SOS, atë të trajtimit të ujit të ndotur urban me qëllim ripërdorimin e tij. Në fjalën përshëndetëse Ministri i Transporteve Sokol Olldashi ritheksoi nevojën e projekteve të tilla jo vetëm për zonat urbane por edhe më gjerë.
Sokol Olladashi: “Jemi nisur nga zero dhe sot kemi në ndërtim një sërë impiantesh të trajtimit të ujërave të zeza dhe e kemi projektuar në total rreth15 të tillë që do i shërbejnë rreth 2 milion banorëve, kryesisht në qendrat e mëdha urbane, por përveç qendrave të mëdha urbane Shqipëria ka dhe komunitete të vogla dhe pikërisht për këto komunitete të vogla, impianti që inaugurohet sot është një model. Është një model dhe një pikënisje shumë pozitive që mund të shtrihet në gjithë territorin e vendit, duke filluar nga fshatrat me pak popullsi, por veçanërisht në zonat që shtrihen përgjatë vijës bregdetare, apo edhe në zonat e alpeve dhe që konsiderohen si potenciale të forta turistike”.
Të pranishëm në inaugurim ishin edhe Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, si dhe ambasadori gjerman i cili shprehu mbështetjen e qeverisë gjermane ne projekte të tilla./tvklan.al