Veliaj: Xhamia e re, një stoli për Saukun; Rikonstruksioni i saj rrit vlerën e zonës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përuroi xhaminë në Sauk, e cila u rindërtua pas shkatërrimit nga tërmeti i nëntorit. Kryebashkiaku Veliaj tha se Xhamia e re është një stoli për Saukun dhe për gjithë Tiranën.
“Kemi një xhami që është një stoli e urbanistikës për institucionet e besimit dhe ndoshta do të ngrejë standardin se si do të duhet të duken për shekullin ku jetojmë edhe institucionet e besimit. Jam mirënjohës edhe për ata që kanë dhuruar tokën. Gjysma e tokës së xhamisë i është dhuruar Bashkisë dhe tani është një kënd lojërash për fëmijët, që fëmijët të jenë e ta trajtojnë institucionin e besimit si gjithashtu pjesë e rritjes së tyre dhe nëse prindërit janë duke kryer rite e tyre, fëmijët kanë një kopsht që është dhuruar me shumë bujari nga pronarët e tokës”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se rikonstruksioni i kësaj xhamie i ka rritur vlerën zonës, ashtu si çdo investim tjetër në Tiranë.
“Vetëm prania e kësaj xhamie, me këtë infrastrukturë moderne, me këtë shije e cilësi të punimeve i ka rritur vleren edhe gjithë shtëpive të tjera dhe nuk ka rëndësi nëse në ato shtëpi jetojnë apo jo besimtarë, por vetëm fakti që janë pranë diçkaje të bukur, të lëvdueshme, pranë diçkaje dinjitoze si kjo shtëpi e Zotit, edhe vlera e gjithë mëhallës është rritur”, vijoi më tej Veliaj.
Ai shtoi se këtë vit Tirana ka qenë një kantier i hapur ndërtimi, ku u hapën 14 shkolla të reja si dhe dy xhami të reja për besimtarët.
“Kemi hapur 14 shkolla dhe kopshte në Tiranë. Një pjesë me të njëjtët donatorë që kanë kontribuar edhe për xhaminë. Vetëm në këtë stinë rindërtimi teksa mbushet ky dy-vjeçar kemi hapur 14 shkolla, kjo xhami dhe xhamia në qendër të Tiranës”, përfundoi Veliaj.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu tha: “Kam nderin dhe kënaqësinë që sot po inaugurojmë një bukuroshe të qytetit të Tiranës, siç është xhamia e Saukut. Falenderojmë Zotin që na ndihmoi të ringremë këtë xhami, po në të njëjtin vend, por më të bukur, më komode në kushte dhe më të fortë në strukturë”./tvklan.al