Pas një sfide të hapur, ku pikët e jurisë për secilin nga 16 gjysmëfinalistët nuk kishin më vlerë, Gjeniu i Vogël drejtpërdrejt në Televizionin Klan na njohu me finalistët e edicionit të tretë, që u përzgjodhën në një garë emocionuese.

Formula e konkurrimit përmblodhi tetë sfida dyshe, ku katërshja e jurisë mbajti peshën e gjykimit për drejtë finales të konkurrentëve më të mirë.

Me tri vota unanime, një sfidë interpretimesh dhe vokalesh që prodhoi lot gëzimi dhe lot humbjeje për tetë finalistët dhe tetë konkurrentët, që s’mundën dot të kapërcejnë në finalen e madhe.

Secili prej tyre tregon emocionet e veçanta për sfidën e fituar apo të humbur.

Riad Bashi: “Mua shumë u mërzita për Savjanën, që u skualifikua. Kisha qejf me ken edhe ajo me mu”.

Savjana Vjerdha: “E lumtur jam sepse doli Riadi në finale. E meritoi. Jo shumë e gëzuar sepse nuk arrita qëllimin për me dal në finale.”

Selma Bekteshi: “Unë jam shumë e gëzuar megjithëse nuk jam finaliste. Fitova një eksperiencë shumë të madhe, një shkollë të bukur”.

Fjolla Ibrahimi: “Ndihem shumë e lumtur dhe jam shumë e kënaqur, por më vjen shumë keq edhe për anëtaren që isha në garë me të sepse e kisha si motër dhe ishim shumë shoqe të ngushta.”

Tedi Paçrami: “Shumë i lumtur, i kënaqur. Se prisja se Artiola Topi ishte një konkurrente shumë e fortë.”

Artiola Topi: “Besoj se nuk është ndonjë gjë e madhe se nuk u futa në tetëshe apo në finale sepse ishte shumë kënaqësi që u njoha me të tridhjetë këta shokë e shoqe më të mirë kemi qenë gjatë gjithë këtyre tre muajve.”

Bruna Sata: “Mu duk shkëlqyeshëm, mu duk edhe Elisa ishte shumë mirë. Juria e ka pasur shumë të vështirë që të zgjedhë mes të dyjave, po shyqyr që e fitova.”

Elisa Salla: “Ndihem shumë shumë mirë edhe i uroj Brunos suksese të mëtejshme.”

Mariona Metohu: “Jam e lumtur sepse gjithë publiku më ka pëlqyer dhe aq më tepër që kam përfaqësuar vendin tim, dy vendet e mia Berati dhe Kuçovën. Për këtë jam e lumtur.”

Arilena Ara: “Ndihem shumë e gëzuar, por në të njëjtën kohë edhe e emocionuar, sepse kam pasur gjatë gjithë kohës frikë, sepse dje në mbrëmje e mora këngën dhe se nuk isha shumë e sigurt në vetvete dhe po e pres me shumë gëzim finalen.”

Këngë të përzgjedhura me kujdes, hite të rëndësishëm botërorë dhe të muzikës sonë, që kanë mbetur në mendjet e shumëkujt, ngjitën në një përmasë të re konkurrentët e Gjeniut.

Për të përshëndetur gjysmëfinalen e Gjeniut, një numër baleti hip-hop solli në skenën e tij trupën e baletit të të vegjëlve, Let’s dance.

Trupa e baletit Spektër solli një tjetër fabulë për natën gjysmëfinale. Vetë konkurrentët, si gjithmonë, zbuluan edhe të ftuarat e kësaj nate të trembëdhjetë, Eneda Tarifën dhe Jonida Maliqin.

Pas zbulimit të tetë finalistëve, tashmë duhet të presim të shtunën e ardhshme, një spektakël që do të ngjitë në teatrin e Klan pas një sfide të shumëpritur Gjeniun e Vogël të edicionit të tretë./tvklan.al