Ministrja e Shtetit për Administratën, Adea Pirdeni tha se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të mbajtur ditën e sotme është miratuar implementimi i orëve fleksibël të punës për administratën publike.

Pirdeni thekson se përmes këtij vendimi garantohet një balancë më e mirë mes punës dhe jetës private të të gjithë punonjësve të administratës.

Adea Pirdeni: Miratuam një vendim për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre. Kjo është një iniciativë që e kemi marrë në kuadër të planit të rienergjizimit të administratës publike pikërisht për të injektuar element të fleksibilitetit në punë dhe mbi të gjitha për të garantuar që administrat publike të jetë një punëdhënës më tërheqës. Në kuadër të kësaj iniciative parashikohet për herë të parë në legjislacion koncepti i orëve fleksibël të punës me qëllim jo vetëm optimizimin e procesit, por edhe për të garantuar një balancë më të mirë mes punës dhe jetës private të gjithë punonjësve në administratë.

Në bazë të këtij vendimi parashikohet që ndërkohë që kohëzgjatja ditore mbetet e njëjtë punonjësit mund të zgjedhin që të nisin ditën e punës më herët dhe përfundojnë më herët, ose ta nisin më vonë dhe përfundojnë më vonë, duke garantuar që të gjithë punonjësit janë prezent në zyrat e tyre në një fashë orare 9:30-15:30 nga e hëna deri të enjten dhe nga ora 9:30-13:00 ditën e premte. Kjo iniciativë vjen edhe në përgjigje të një sërë kërkesave nga punonjësit e administratës për më shumë fleksibilitet dhe për të grantuar ata që duan të shoqërojnë fëmijët dhe për të garantuar një mjedis pune më miqësor.

Ndërkohë ministrja theksoi se me ndryshimet e kodit të punës punonjësve të administratës shtetërore u janë shtuar edhe dy ditë pushimi vjetore duke bërë që kohëzgjatja vjetore e pushimeve të jetë 22 ditë pune.

/tvklan.al