Një grua është plagosur me thikë këtë të mërkurë në Korçë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00, më saktësisht në lagjen nr. 4.

Policia thotë se ka arrestuar, autorin e dyshuar, 41-vjeçarin Ilia Çani, ish-partnerin e saj. Ky person sipas uniformave blu është arrestuar edhe më parë për përndjekjen e gruas.

“Autori i dyshuar, shtetasi I. Ç.(i arrestuar dhe  më parë për përndjekje të kësaj shtetaseje),  është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njoftoi policia.

Gazetarja Daniela Zisi ka mësuar se autori ka qenë duke kaluar në rrugë kur ish-partnerja e ka ndaluar dhe i ka kërkuar të mos vazhdojë më ta përndjekë. Në atë moment konflikti është agravuar dhe autori ka nxjerrë thikën duke e lënë të plagosur.

E dëmtuara ndodhet në reanimacion në spital, ku po i nënshtrohet  një ndërhyrjeje. Ajo ka marrë disa dëmtime mes mjekrës dhe qafës. Siç raporton gazetarja, për momentin, gjendja e saj është e stabilizuar./tvklan.al