Policia dhe Prokuroria e Beratit kanë arrestuar një 56-vjeçar me iniciale A.A. dhe kanë shpallur në kërkim djalin e tij D.A. 29 vjeç nga Kuçova për mashtrim me produktet ushqimore, e konkretisht me vajin e ullirit.
Hetimi u finalizua pas investimit të emisionit Stop në Tv Klan. Babë e bir kishin përshtatur një ambient në banesën e tyre ku përgatisnin përzjerje të vajrave të ndryshëm dhe produkteve të panjohura, më pas i reklamonin në faqen e Facebook “Vaj Ulliri Bio Jugu” dhe i shisnin si vaj ulliri bio.
Hetuesit kanë dokumentuar ligjërisht se babë e bir i përgatisnin keto produkte në banesen e tyre dhe më pas i tregtonin te shtetas të ndryshem në të gjithë vendin nëpërmjet një poste private.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 3000 litra lëndë vajore e papërcaktuar, 1000 litra, e dyshuar vaj kikiriku, një lap-top dhe printeri me të cilin printoheshin etiketat postare, 2 900 000 lekë dhe 1800 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e kundraligjshme.
Të dy akuzohen për “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi me produktet ushqimore”, kryer në bashkëpunim. /tvklan.al