Plani për ndërtimin e Kombëtares për kualifikueset e Euro 2012 do të nisë që nga miqësorja me Qipron dhe tashmë për janë informuar si FSHF-ja dhe futbollistët.

Trajneri Josip Kuzhe, e sheh këtë si një mënyrë për të rritur nivelin e ekipit ku të rinjtë do të ndërthuren me një pjesë të lojtarëve me përvojë si Skela, Duro apo Bogdani.

Josip Kuze: “Unë kam dorëzuar në Federatë një program që zgjat 1 vit pasi qëllimi im është përgatitja e një grupi për kualifikueset e Evropianit të ardhshëm. Me punën që po bëj po mundohem të rris cilësinë e lojës sonë. Padyshim që për mua dhe drejtuesit e Federatës fitorja ka rëndësi të arrihet që me Qipron pasi do të krijonte atmosferë mjaft të mirë në skuadër dhe ti japim mundësinë tifozëve të shpresojnë për të ardhmen. Normalisht ne do të kërkojmë rezultatin, por më rëndësishmja në ndeshjet miqësore është shansi për testimin e lojtarëve të rinj”.

Puna e deritanishme e trajnerit Kuze është vlerësuar edhe nga presidenti i Federatës, Armand Duka.

Armand Duka: “Le të themi sipas programit të tij ka zbatuar gjithçka nga programi që ka bërë dhe nga ato që kemi kërkuar ne, ka, siç edhe ju e keni vënë re ka qenë le të themi shumë më afër futbollit të luajtur brenda Shqipërisë sesa trajnerët paraardhës. Ka një informacion të plotë dhe një kuadër të plotë të futbollit shqiptar tashmë, dhe tashmë ne duhet tamam të presim rezultate nga ky trajner dhe nga stafi i tij”.

I mendimit se një sukses me qipriotët do të hapte rrugën drejt një kombëtareje më të mirë për Euro 2012 është edhe Ervin Skela.

Ervin Skela: “Trajneri i ika idetë e qarta. Ai do të konsolidojë një grup lojtarësh të cilët ai mendon që janë për të ardhmen dhe i shërben ekipit kombëtar, me idetë e tija për futbollin dhe këto gjëra ne duhet t’ia tregojmë atij në fushë avash, avash. Po kjo punë nuk diskutohet që do pak kohë dhe duke realizuar rezultate pozitive kjo bëhet dhe akoma më e lehtë dhe prandaj ndeshja me Qipron është shumë, shumë e rëndësishme për të fituar”.

Kuqezinjtë për miqësoren e së mërkurës me Qipron do të rreshtohen me skemën 4-4-2. Në portë do të jetë Hidi, mbrojtja do të përbëhet nga Vangjeli, Dallku, Cana dhe Curri. Në mesfushë do të rreshtohen Bulku, Duro, Skela dhe Agolli ndërsa Bogdani e Salihi do të jetë dyshja sulmuese./tvklan.al

Gazetari: Endrit Sauku