Për të tretën herë, nisja e gjyqit të themelit për 19 të pandehurit në dosjen e ashtuquajtur si “Plumbi i Artë” dështoi.
Edhe këtë të premte, Gjykata e Posaçme e pati të pamundur të çelë shqyrtimin e dosjes për shkak të mungesave të avokatëve.
Por po në këtë seancë, Prokuroria e Posaçme kërkoi përjashtimin e një nga anëtareve të trupit gjykues, pasi rezultoi të kishte lidhje familjare me një prej avokatëve në proces.
Lidhja është konstatuar më herët në sallën e gjyqit dhe për Prokurorinë është shkak që gjyqtarja të japë dorëheqjen.
Të pandehurit akuzohen për disa vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Pjesa më e madhe e krimeve janë kryer me pagesë.
Dumani është i pari në listën e SPAK si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe 3 episode të vjedhjeve me dhunë.
Në këtë proces, SPAK ka 3 persona të penduar. Fillimisht për ngjarjet rrëfeu Nuredin Dumani, pas tij u pendua edhe Erion Alibej dhe Skerdi Tase.
Tv Klan