“Fundjavë Ndryshe” ka ndryshuar jetën e familjes Shima, ku dikur mblidhnin kanaçe dhe bidona nëpër kazane. Një familje e përbërë nga 5 pjesëtarë dhe me një nënë me sëmundje mendore. Babai dhe fëmijët kanë qenë të detyruar të punonin dhe të mblidhnin nëpër kazane, mbeturina për të mbijetuar. Fëmijët bëheshin objekt bisede në shkollë, përqesheshin nga shokët.
“Fundjavë Ndryshe”e ka ndihmuar këtë familje duke i dhuruar një shtëpi dhe duke e futur kryefamiljarin Ismail Shima në punë.
“Historia ime” në Tv Klan e ka rikthyer këtë histori dhe në studio ka qenë i ftuar babi i fëmijëve Ismaili, i cili shprehet shumë i lumtur dhe falenderues ndaj “Fundjavës Ndryshe” dhe se jeta e tyre ka ndryshuar 100%.
Ai ka rikujtuar dhe një histori mjaft të trishtë, kur fëmijët e tyre ishin dëshmitarë të dhunës që policia bashkiake i ka ushtruar atij sepse mblidhte bidona dhe kanaçe.
Ismail Shima: Tani fëmijët e mi kanë një jetesë më ndryshe se sa e kanë patur. Më përpara kanë parë edhe të atin duke u dhunuar nga policia bashkiake.
Mirela Milori: Ti je dhunuar?
Ismail Shima: Po sepse mblidhja kanaçe dhe bidona ne kazane. Më rrahën sikur ishin duke rrahur një kafshë në prezencën e dy fëmijëve. Kjo ka ndodhur para se të lidhesha me “Fundjavën Ndryshe”. Tani historia ka ndryshuar 100%. Kur shoh pamjet tona dikur që i jep “Fundjava Ndryshe” më rrënqethet trupi, ku kam qenë dhe ku kam arritur. E falenderoj “Fundjavën Ndryshe” që ma ndryshoi jetën 100%. /tvklan.al