Flirtime, ngacmime, gjithçka nisi në “Love Island Albania” në Televizionin Klan. Të gjithë shpresonin që mes tyre të ndodhte diçka, jo vetëm një njohje, të gjithë donin më shumë, donin një lidhje. Dhe kështu ndodhi, por jo vetëm kaq.
Çifti më i famshëm i “Love Island” e kurorëzuan dashurinë tyre me një martesë, duke u bekuar më pas me një engjëll të vogël të quajtur Amea. Këtë të enjte në studion e “Rudina”, Ueda Ndrecaj dhe Arlind Gashi rrëfejnë mes emocionesh ditën e ardhjes në jetë të Ameas.
“E ndjeva që gjithë bota ime është aty, në krahët e mi”, tha në studion e “Rudina”, Ueda, teksa kujton momentin e parë që mori në krah Amean e vogël.
Ueda Ndrecaj: U zgjova në mëngjes dhe aty kisha shenjat e para. Ishte një lindje natyrale dhe ndodhi para datës, ishte 38 javë e 5 ditë. Dhimbjet më filluan në mëngjes dhe linda ditën tjetër. Ndenja 26 orë në maternitet. Linda plot me dhimbe, por kur e mora në krahë për herë të parë ia vlejti.
Rudina Magjistari: Ai momenti kur lind duket sikur e harron të gjithë, fshin gjithçka dhe ti ndjehesh thjesht e lumtur për faktin që ka ardhur në jetë.
Ueda Ndrecaj: Mami im më tha shumë herë që ke për t’i harruar të gjitha dhimbjet dhe është e vërtetë. Kur erdhi Amea, unë dhe Arlindi e morën në krah, ktheva kokën ishte duke qarë.
Në sallën e lindjes, duke shtrënguar me ankth dorën e gruas së tij, Arlindi kujton emocionet e asaj dite që i dha statusin e babait.
Arlind Gashi: E imagjinon shumë të thjeshtë sepse thua është një lindje. Por, kur fillon dhimbjet, kur vjen doktori, kalojnë dhe mendime të këqija, thua “O zot mund të ndodhë diçka!”. Ajo më shikonte mua, kurse unë bëja si i fortë “hë se nuk ka problem”. Plus që më ra dhe një doktor që ishte pak i shkurtër, nuk mu duk fare si doktor. Në atë moment më iku boja, po më binte të fikët, mezi po mbaja veten. Gjithsesi gjithçka shkoi në rregull./tvklan.al