Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Kreshnik Osmani, u shpreh këtë të martë në emisionin “Opinion” se ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme është një “shkepje tërësore” e rajonit dhe “riformatim” i saj.
“Ajo që po ndodh është qartësisht shkepja tërësore e Lindjes së Mesme dhe hapja e një faqeje të re e historisë së rajonit, riformatim i Lindjes së Mesme. Shkëndija e parë u dha në sulmet e 11 shtatorit, kur u nis administrata Bush për të riformatuar Lindjen e Mesme, erdhi Condoleezza Rice në 2006 që tha do bëjmë një Lindje të re të Mesme. Në 2011 filloi pranvera arabe që kishte dhe një lloj suporti indirekt nga administrata Obama. Erdhëm pastaj tek këto zhvillimet e fundit. Vrasja e Haniyeh, vrasja e liderëve të Hezbollahut. Është pjesë e pikënisjes së shkepjes së kësaj rrobeje që e vesh politikisht dhe gjeopolitikisht Lindjen e Mesme. Ajo që ndodhi me vrasjen e Nasrallahut u hap kapitulli dhe u shkrinë vijat e kuqe”, tha ai.
Osmani bëri me dije se Irani në sulmin ndaj Izraelit lëshoi 250 raketa balistike dhe rreth 70 deri në 80 raketa kanë goditur objektivat brenda Izraelit. Situata në Izrael është alarmante teksa ministri i Mbrojtjes sipas tij e komandon ushtrinë tashmë nga bodrumet e ministrisë për arsye sigurie.
Megjithatë Osmani solli në studio këtë të martë alarmin e ngritur nga shërbimet sekrete turke për planin që fshihet pas sulmit të Izraelit në Liban. Bëhet fjalë për ndërtimin e një korridori që lidh Izraelin me kurdët.
“Në mesditë kanë hyrë edhe shërbimet sekrete turke që kanë ngritur një alarm tjetër që thonë që justifikojnë në një farë mënyrë rritjen e toneve dhe të kërcënimeve të Erdogan, që thonë që është një plan akoma më i madh që fshihet pas sulmit të Izraelit. Në jugun e Libanit po ndërtohet korridori i David-it që lidh jugun e Libanit, Izraelin, me kurdët sipër”, tha Osmani./tvklan.al