Emiljano Lule tregon sfidat pas humbjes së shikimit në adoleshencë
“Me sytë e shpirtit” ishte episodi i 10-të i podcastit “FLASIM”, ku i ftuari i kryeministrit Rama ishte Emiljano Lule, Drejtor në Institutin e Nxënësve që nuk shohin. Teksa folën për sfidat që shoqërojnë përditshmërinë e një personi të verbër, kryeministri Rama e vlerësoi Lulen për punën dhe nismat si drejtues.
Edi Rama: E them pa ekzagjerim apo kompliment, është një nga drejtorët më të mirë që unë kam pasur privilegjin, ose më mirë mundësinë të takoj. Ky bashkëbisedim është realisht një privilegj.
Emiljano Lule rrëfeu para Kryeministrit faktin e dhimbshëm të jetës, për humbjen e shikimit.
Emiljano Lule: Duke luajtur me ca fëmijë, ishte një nga ato detonatorët që i vidhosen atyre granatave që gjendeshin në çdo vend në ’97-ën. Në momentin që afrohem ajo shpërtheu, duke më futur në këtë vorbullën e çuditshme ku gjendem edhe sot.
4 vite më pas Emiljano vendosi të operohet në Moskë, një operacion në të cilin u fut me 100% shikim, por doli i verbër.
Emiljano Lule: Futem me 100% shikim edhe pse kisha metal në sy, isha në vitin e dytë të Inxhinierisë Elektronike. Mbarova provimet, sezonin, në 19 Shkurt të 2001-t shkoj në Moskë. Futem në operacion dhe në 1 Mars kur dal nuk shihja asgjë. Mesa duket Moska, këtë çështjen e errësirës e ka të kahershme.
“Zëri mund të shkojë aty ku shikimi nuk mundet” ishte në fokus të Ramës me Emiljanon, një bibliotekë audio-digjitale për ata që nuk shikojnë.
Edi Rama: Një bibliotekë e tërë zanore është një ndërmarrje e madhe, ku jemi?
Emiljano Lule: Slogani është zëri mund të shkojë aty ku shikimi s’mundet. Herë pas herë kur më kap frymëzimi, përpiqem të prodhoj një slogan dhe mendoj se kemi prodhuar disa. Ka ftuar 17 gjimnaze të Tiranës, me 10 ose 15 lexues të mirë, se vinin plot…Kanë gjetur kohën dhe të dhurojnë zërin e tyre.
Edi Rama: Pse s’më ke ftuar ndonjëherë për të marrë pjesë?
Emiljano Lule: Sot është momenti!
Nisma “Zëri mund të shkojë aty ku shikimi nuk mundet” synon të lehtësoje përditshmërinë dhe të zgjidhë problemet e komunitetit të nxënësve që nuk shikojnë.
Klan News