Gramoz Ruçi: “Fatmir Xhindi u nda nga jeta sepse e vranë. Sot e gjashtë muaj nëna e tij 85-vjeçare pyet: Kush ma vrau djalin? E Sali Berisha me të tijën heshti. Përgjigjet, pa përgjigjet pushtetit të Sali Berishës deri më sot kanë hedhur në tavolinë të organeve kompetente të gjitha pistat e mundshme dhe po sipas verdiktit të tyre të gjitha nuk qëndrojnë. Aktualisht ka ngelur vetëm një pistë. Fatmir Xhindi është vrarë për arsye politike. Është pista politike sepse pas gjashtë muajsh nga vrasja e deputetit, Fatmir Xhindi, veprimet hetimore rezultojnë tërësisht të stopuara. Është politike sepse policia e shtetit me qëllim iu është larguar detyrave të caktuara nga ligji për zbatimin dhe zbulimin e kësaj ngjarjeje”.

Laura Totraku: “Për zbulimin e kësaj ngjarje është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e tre prokurorëve të prokurorisë për krimet e rënda, si dhe 10 oficerëve të policisë gjyqësore të prokurorisë dhe departamentit për hetimin e krimeve në policinë e shtetit. Për hetimin e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi nga ana e policisë së shtetit është ngritur një grup specialistësh me punonjësit më të mirë dhe me më shumë integritet profesional, duke vënë në dispozicion të hetimit të gjitha resurset njerëzore dhe teknikat speciale bashkëkohore të hetimit me qëllim dokumentimin ligjor të këtij krimi. Sqarojmë opinionin publik se policia e shtetit po vazhdon hetimet me intensitet të lartë duke analizuar me kujdes të gjithë informacionet e marra për këtë çështje së bashku me prokurorinë dhe krimet e rënda dhe po zbaton të gjitha detyrat e deleguara nga ana e prokurorëve. Policia nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësive të saj duke zbatuar me korrektësi detyrat që i ngarkohen asaj nga ligji për policinë e shtetit. Për këto arsye i sugjerojmë zotit Gramoz Ruçi që në funksion të zbulimit të së vërtetës të gjithë informacionin e nevojshëm që disponon ta vërë në dispozicion të prokurorisë për krimet e rënda si autoriteti përgjegjës që drejton dhe heton këtë çështje. Deklarata të tilla dezinformuese dhe abuzive kanë për qëllim pengimin e punës së bërë nga grupi hetimor dhe të shkaktojnë vonesa në zbardhjen e së vërtetës”./tvklan.al