Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia dhe prokuroria e Vlorës deklarojnë se kanë prova të mjaftueshme për të vërtetuar përgjegjësinë e 6 personave të shoqëruar në komisariat, për rrëmbimin e Klajdi Shehut, nipi i biznesmenit të çimentos në Vlorë. Megjithëse 20-vjeçari u lirua nga rrëmbyesit pas katër ditësh, puna e një grupi special policor, kishte bërë të mundur gjetjen e zonës ku mbahej pengu.

Operacioni i policisë, i cili kishte arritur fare pranë shtëpisë ku ishte prangosur Klajdi, nuk përfundoi me lirimin e tij, pasi Perlat Kodheli, një inspektor i rendit në këtë zonë, kishte informuar gjatë gjithë kohës rrëmbyesit në lidhje me lëvizjet e policisë. Vetë pengmarrësit liruan pengun, pasi kuptuan se ishin shumë pranë kapjes në flagrancë dhe nuk kishin mundësi veprimi për të kërkuar gjobën, për familjen e pasur vlonjate.

Djali vetë pas lirimit u shpreh se nuk mund të njihte personat rrëmbyes, pasi gjatë gjithë kohës ishte mbajtur me një maskë në kokë dhe nuk kishte parë asgjë. Policia ka tashmë provat për Luan dhe Besnik Saraçin, Elton Ismailin, Besnik Gjatën, Julian Metushin dhe efektivin policor Perlat Kodheli.

Këta të fundit priten të marrin masën e arrestit nga gjykata e Vlorës, si përgjegjës të rrëmbimit, apo të implikuar./tvklan.al