Policia e Tiranës ka dhënë informacion për aksionin anti-drogë që u zhvillua në lagjen “Don Bosko” pasditen e sotme. Zyrtarisht njoftohet se janë arrestuar dy persona që udhëtonin me një makinë Citroen. Ata janë 27-vjeçari me iniciale B.P dhe pasagjeri me iniciale A.M.

Policia kishte informacion se 27-vjeçari shiste kokainë në zonën  e “Don Boskos”. Uniformat blu i bënë shenjë makinës që të ndalonte. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur shenjës të ndalimit, por ka lëvizur me shpejtësi duke bërë disa manovra të rrezikshme, të cilat rrezikuan jetën e oficerëve të policisë duke përplasur një automjet të policisë.

Gjithashtu në këtë moment me qëllim parandalimin e largimit të automjetit dhe pas thirrjes së punonjësve të policisë për të ndaluar fillimisht, është paralajmëruar duke qëlluar me armë në ajër dhe më pas në drejtim të gomave të automjetit, ku si pasojë ka ngelur i plagosur shtetasi B.P, i cili transportua në spital jashtë rreziku për jetën. Më pas atij iu komunikua se është arrestuar.

Gjatë kontrollit të ushtruat në mjetin tip Citroen, në pjesën e këmbëve të pasagjerit është gjetur një sasi e konsiderueshme kokaine. Për pasojë është kryer kontrolli i banesës së shtetasit A.M. ku është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme kokainë, një peshore elektronike si dhe një sasi kartmonedhash në valutë euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Dy të arrestuarit akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe kundërshtim i punonjësit të policisë.