Hetimet nisën në Kukës në 2018
Një operacion i gjerë antidrogë është finalizuar me arrestimin e 19 personave në disa qytete si Kukës, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Gjirokastër. Hetimet kanë nisur një vit më parë nga Prokuroria e Kukësit, ku kanë rezultuar të përfshirë disa personave mes të cilëve edhe dy punonjës policie.
“Dokumentimi i këtij aktiviteti kriminal është bërë pas një hetimi disa mujor nga strukturat e DVP Kukës në bashkëpunim me SHÇBA-në, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, duke aplikuar format dhe metodat speciale të hetimit, në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2018, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. ”.
Referuar hetimeve të Prokurorisë së Kukësit, grupi kriminal u zbulua pas prangosjes të Adriatik Hoxhës dhe Rezart Tahirit që u arrestuan me dy kallashnikovë në kohën që udhëtonin me makinë. Pas bisedave të përgjuara telefonike rezultoi se ata do të bënin një shkëmbim armësh me kanabis.
Pas hetimeve rezultoi i përfshirë Kreshnik Murataj, që cilësohet nga prokuroria si kreu ikëtij grupi, por ende nuk provohet se kush është financuesi. Në pranga janë vënë edhe efektivët e policisë, Arben Kalaja dhe Ramiz Cena, që dyshohet se kanë garantuar mos prekjen e lëndës narkotike që i përkiste grupit që drejtohej nga Murataj.
Gjithashtu është pezulluar nga detyra Naim Kadiu, një oficer i Policisë Gjyqësore, po në Komisariatin e Policisë Kukës. Janë shpallur në kërkim edhe tre persona që rezultojnë të përfshirë në këtë ngjarje.
Tv Klan