Të gjitha subjektet që tregtojnë dru zjarri apo lëndë drusore do të kalojnë në sitën e Ministrisë së Mjedisit dhe nëse dokumentacioni i tyre nuk është i rregullt apo sasia e drurëve është më e madhe nga sa deklarojnë, ata do të penalizohen deri në bllokim të aktivitetit.
Aksioni i policisë pyjore ka nisur fillimisht në kryeqytet për tu shtrirë në të gjithë vendin.
Alfred Deshati: “Sot është një kontroll në rrethin e Tiranës, janë gjithsej 15 subjekte që duhet të kontrollohen për të gjithë lëndën drusore edhe ajo që shitet për dru zjarri dhe ajo që përpunohet për të dalë në treg. Strukturat e kontrollit pranë Ministrisë së Mjedisit janë shumë të vendosura për të zbatuar ligjin deri në maksimum. Toleranca nga ana jonë do të jetë zero, ky aksion do të vazhdojë jo vetëm tek këto subjekte, por duke u nisur nga gjendja problematike e cila është aktualisht në pyje, ky aksion do të shtrihet në të gjithë akset rrugore të Shqipërisë, ku edhe problemet janë më të mëdha. Për të gjithë shkelësit e ligjit masat janë shumë të rënda nga gjoba deri në sekuestrim dhe deri në kallëzim penal.”
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Mjedisit këtë vit sasia e lëndës drusore që po tregtohet është më e vogël se një vit më parë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami