Pas Irlandës edhe Polonia i thotë Po traktatit të Lisbonës. Presidenti polak, Leh Kaczynski ratifikoi traktatin, duke ia lënë tashmë stafetën për hedhjen e firmës, Çekisë.
Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit në pallatin presidencial në Varshave ishin edhe Kreu i KE, Hoze Manuel Barroso, Presidenti i PE, Jerzi Buzek, kryeministri i Suedisë, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE, Fredrik Reinfilld dhe zyrtarë të lartë.
Përpara se të hidhte përfundimisht firmën mbi marrëveshjen që do të reformojë Bllokun 27-anëtarësh, Kazinski tha se BE-ja mbetet një bashkim i shteteve të pavarura, dhe theksoi se është e nevojshme që dyert të jenë të hapura për integrimin e anëtarëve të rinj, përfshi vendet e Ballkanit dhe Gjeorgjinë.
Leh Kazinski: “Ne kemi 27 vende anëtare. Unë jam shumë i bindur se ky nuk është fundi. BE, një eksperiment i madh, i paprecedentë i historisë së njerëzit, nuk duhet të qëndrojë i mbyllur për vendet që duan të anëtarësohen, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për vende si Gjeorgjia”.
Kryeministri suedez tha se dita e sotme është një ditë pozitive për BE, dhe i bëri thirrje Çekisë të ratifikojë traktatin.
Fredrik Reinfeldt: “Firma e sotme e presidentit Kazinski është një hap më pranë traktatit të ri. Gjithsesi mbetet ende Çekia, nga e cila presim firmën e presidentit. Europa prêt me padurim që kjo të ndodhë. Nuk duhet të ketë më vonesa”.
Po kështu, nënshkrimi i sotëm u përshëndet edhe nga Franca e Italia. Ministri i jashtëm francez Bernard Kushner dhe homologu i tij, Silvio Berluskoni, shprehen besimin se me hyrjen në fuqi të kushtetutës së re, BE do të jetë më fuqishëm dhe më efektiv.
Nënshkrimi vjen vetëm një javë pas ratifikimit histori të Irlandës. Çekia mbetet vendi i vetëm që nuk ka firmosur traktatin, pasi presidenti cek, Vaclav Klaus pret qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese nëse traktati bie ose jo ndesh me ndonjë ligj të vendit.
Çdo vonim nga ana e Çekisë do të ishte zhgënjyese për kreun e KE-së, Barroso, i cili shpreson hyrjen në fuqi të traktatit në 1 Janar të 2010-ës./tvklan.al