Vetëm pak muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare republikanët kanë mbledhur asamblenë kombëtare për të diskutuar strategjinë elektorale që do të ndjekin. Asamble që ka përkuar me 18 vjetorin e themelimit të Partisë Republikane.

Kryetari i republikanëve Fatmir Mediu, i cili prej kohësh kërkon riorganizim të të djathtës ka përsëritur nevojën e gjetjes së strategjisë që mazhoranca të dalë në këto zgjedhje me një alternativë fituese.

Fatmir Mediu: “Mendoj se jemi në kohë për të mos thënë vonë që të përcaktojmë një strategji të përbashkët të zgjedhjeve, duke vlerësuar çdo parti apo faktorë revelantë të së djathtës. Është e domosdoshme që krahas punës së çdo subjekti politik për organizimin e fushatës të organizohen grupe të përbashkëta, të cilat do të analizojnë nga pikëpamja elektorale dhe politike fushatën e ardhshme elektorale.

Por pavarësisht vendimit për të dalë në zgjedhjet e qershorit në krah me demokratët dhe forca të tjera të djathta. Mediu u ka bërë thirrje çdo anëtari dhe simpatizanti të partisë që ai drejton që betejën elektorale ta përqendrojnë tek votat që duhet t’i shkojnë republikanëve. Zgjidhje kjo që ua dikton sipas Mediut dhe kodi i ri zgjedhor.

Fatmir Mediu: “Kjo është një fushatë ndryshe, dhe kërkon një organizim perfekt dhe specifik në çdo hap. Kodi zgjedhor nuk lë shumë hapësira, pasi pak a shumë përcakton dhe mënyrën e ndërtimit të këtyre koalicioneve. Thelbi i këtij koalicioni në gjykimin tim do të jetë përfshirja në një grupim të përbashkët, por padyshim angazhimi i të gjithë republikanëve kudo që janë në çdo element të strukturës së PR duke filluar nga qendra e votimit, duke kërkuar votën vetëm dhe vetëm për PR. Forcimi dhe pesha elektorale dhe politike e PR në këtë koalicion të së djathtës, do të thotë peshë të gjithë të djathtën dhe sukses për të gjithë djathtën fitore.”

Mediu ka kërkuar më shumë vëmendje të qeverisë tek reforma e pronës, për të cilën deri tani sipas tij nuk është bërë sa duhet. Krijimi i fondit fizik dhe dyfishimi i fondit financiar për kompensimin e ish-pronarëve ishin disa nga kërkesat që republikanët i drejtuan qeverisë për të mbajtur premtimin për zgjidhjen e problemit të pronave./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka