Drejtuesi i Cirkut Caribaldi në mënyrë të dhunshme rreket me tërë fuqinë të realizojë “Kuintetin e Troftave”, gjë që duket e pamundur, për aq kohë sa artistët prishin provat.

“Zbutësi i Kafshëve” dehet shpesh, problem kryesor bëhet edhe rrëzimi i kapelës së Gaztorit. Në kësi situatash Caribaldi nxjerr në pah gabimet e të tjerëve dhe u jep mend, por  natyrisht që në të shumtën e rasteve bëhet shkas për talljen e artistëve.

Mbesa e tij ia del ta nxehe gjithmonë me të qeshurën e saj. Në vija të përgjithshme kjo është historia që rrëfen komedia dramatike “Forca e zakonit”, e dramaturgut austriak Thomas Bernhard, vënë në skenën e teatrit Kombëtar nga regjisori Kristian Papke. 

Kristian Papke:  “Të dyja pjesët si komedia edhe tragjedia që u munduam të përcillnim me këtë komedi-dramatike, ishin të pranishme dhe të kapshme edhe për publikun. U duk sikur ata patën ndjesinë se kjo histori e vjetër e një diktatori i preku njerëzit më shumë nga ç’e prisnim. Kujtesa për shqiptarët është ende e freskët, vetëm 20 vjet kanë kanë kaluar, dhe ju me kuptoni ç’dua të them. Jam i kënaqur që e vura këtë shfaqje në skenën tuaj.”

Vasjan Lami: “Është një vepër e fuqishme ku vëertetë godet, ndoshta është pak e vështirë në perceptimin e parë, por nëse arrin ta shohësh edhe herë tjerë do të shohësh që ka mendime që prekin shumë të meta, nuk është vetëm diktatori në thelb. Aty shohim që të gjithë jemi nga pak diktatorë, të gjithë jemi nga pak të dhunshëm.”

E vënë për herë të parë në skenën e Salzburgut në vitin 1974, “Forca e Zakonit” e cilësuar si një nga një nga komeditë më të mira të të gjitha kohërave, përmes kastës së aktorëve shqiptarë, Vasjan Lami, Neritan Licaj, Arben Derhemi ka përcjellë me forcën e mendimit dhe xhestikulacioneve skenike, jo vetëm flijimin e “Kuintetit të Troftave” ne aktin e fundit të komedisë, po edhe brutalitetin e një diktature, të cilën edhe ne shqiptarët e lamë pas 20 vjet me parë./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani