Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, të marrë masa urgjente për ndërprerje të politikave refuzuese në universitetet shqiptare.

Në ceremoninë e dekretimit të rektorëve të rinj, presidenti Moisiu ka theksuar si domosdoshmëri reformën në arsim dhe ka theksuar, se qeveria duhet të heqë dorë nga direktivat burokratike që cenojnë autonominë universitare. Nëse nuk ndërpriten këto praktika, presidenti Moisiu ka parashikuar një të ardhme pesimiste për shoqërinë shqiptare.

Presidenti Alfred Moisiu:- “Ne rrisim radhët e të papunëve, të emigrantëve, të të zhgënjyerve dhe pse jo të përfshirjes së tyre në vepra të ndryshme penale. Ju keni në dorë të sotmen dhe të ardhmen e mendimit shkencor, të kapaciteteve njerëzore dhe për pasojë dhe të ecurisë së reformave politike, sociale dhe ekonomike”.

Sipas presidentit Moisiu, realiteti arsimor shqiptar duhet të sigurojë konkurrencë të lirë, transparencë të plotë dhe rritjes të punës për njohjen e diplomave dhe kualifikimeve. Sipas kreut të shtetit Ministria e Arsimit, duhet të hartojë plane që brenda një kohe të shkurtër të liberalizojë plotësisht pranimin në shkollat e larta./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço