Klasa politike shqiptare thirret te bashkëpunoje ngushte nga kreu i shtetit për ta çuar deri ne fund reformën ne drejtësi.

Presidenti i republikës, Bamir Topi , ne cilësinë e kryetarit të Këshillit te Larte te Drejtësisë ne mbledhjen e sotme kërkoi qe institucioni që ai drejton, të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë për të rritur eficencën e autoritetit në sistemit gjyqësor.

Bamir Topi: “Mos të krijohet psikoza sikur gjithçka varet nga një strukturë, nga një njeri, përkundrazi. Këtu kërkohet sipas kushtetutës dhe ligjit një angazhim, një përkushtim i të gjithë aktorëve. Jam shprehur edhe përpara se të fillojë fushata elektorale për nevojën e pronësimit të partive politike për detyrimin qytetar, për vazhdimin e reformave në gjyqësor pasi sikurse dihet reformat në gjyqësor nuk realizohet përgjithësisht me mazhoranca të thjeshta, por realizohen mbi bazën e një kohezioni më të gjerë politik, mbi bazën e votimeve të cilësuara që kërkojnë domosdoshmërish një numër të caktuar të deputetëve të parlamentit”.

Një tjetër çështje e kthyer ne shqetësim për gjyqësorin dhe politiken, sipas presidentit Topi, janë dhe rastet e ndërhyrjes se personave qe pretendojnë se kane influence tek njerëzit me pushtet. Presidenti ka bere publike një rast te tillë, por ka preferuar te ruaj anonimatin.

Bamir Topi: “Po i bëj një thirrje që nëpërmjet jush t’i adresohet të gjithë punonjësve të punojnë qoftë në sistemin e prokurorisë, qoftë në sistemin e gjykatave, që të hedhin poshtë çdo lloj tentative për influencat, ku disa persona marrin dhe rolin e sekserëve, duke përdorur dhe emra individësh, që mund të jenë në pushtet, kështu që bëj thirrje që të mos operoni në mënyrë informale. Kjo thirrje vjen sot duke iu referuar në radhë të parë të gjithë atyre personave që mund të përdorin emrin e presidentit të republikës apo çdo personi tjetër. Keni një përgjegjësi ligjore, institucionale dhe qytetare të denonconi çdo rast ndërhyrje.”

Edhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka dhënë statistika te rritjes se kriminalitetit për një vit, por denoncoi zvarritjen e shqyrtimit gjyqësor nga ana e gjyqtareve, duke çuar ne lirimin e te dënuarve nga qelitë e burgut.

Kreshnik Spahiu: “Shpeshherë në sytë e opinionit drejtësia po shihet në një udhëkryq, në një udhëkryq ku dëmtohet çdo ditë imazhi i gjyqësorit pa lejuar dhe pa toleruar që këto pasoja të dëmtojnë rëndë hetimin paraprak të kryer nga policia apo nga prokuroria shpeshherë, degradon në procese gjyqësore të cilat janë tërësisht jo profesionale nën efektin e presioneve, nën efektin e ndërhyrjeve, nën efektin e vektorëve të ndryshëm të interesit.”

Funksionimi i gjykatës administrative sipas kreut te shtetit është një tjetër nevoje e dhënies se drejtësisë.

Bamir Topi: “Mund ta ilustroj me një element shumë të rëndësishëm, sikurse është rasti i gjykatës administrative. Ka një sensibilitet të shtuar nga njerëzit që merren me biznes, nga politika në përgjithësi, nga institucionet, edhe nga vetë presioni që kanë gjykatat për t’u marrë me çështje që në vullnetin e parashprehur të aktorëve politikë kanë përbërë domosdoshmërinë e ngritjes së gjykatës administrative.

Në mbledhjen e KLD-së Ministri i ri i Drejtësisë, Bujar Nishani, kërkoi konsolidim te bashkëpunimit ne kontrollin e punës se gjyqtareve.

Bujar Nishani: “Krijimi i një administrimi korrekt, i një administrimi transparent në themel të cilës duhet të qëndrojë para zgjedhjeve, para ligjit. Besoj që do të përbëjë prioritetet edhe në të ardhmen të Ministrisë së Drejtësisë dhe ju garantoj që partneriteti i saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë do të jetë shumë shumë i ngushtë. Faleminderit!”

Mbledhja e KLD-se vazhdoi punimet me dyer te mbyllura, ndërsa pritet te publikohet dhe një raport mbi inspektimin ne disa gjykata ne rrethe./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani