Presidenti Joe Biden ka falur djalin e tij Hunter duke shmangur një dënim për të, në një veprim që bie ndesh me premtimet e tij të kaluara se nuk do të përdorte kompetencat e jashtëzakonshme të presidencës në interes të anëtarëve të familjes së tij.
Duke shpjeguar vendimin e tij, Biden tha se gjatë gjithë karrierës së tij ai kishte ndjekur parimin për t’i thënë publikut të vërtetën nga besimi se amerikanët janë të drejtë.
“Kam nënshkruar një falje për djalin tim Hunter. Që nga dita kur kam marrë detyrën, kam thënë se nuk do të ndërhyj në vendimmarrjen e Departamentit të Drejtësisë dhe e mbajta fjalën time edhe pse e kam parë djalin tim duke u selektuar dhe padrejtësisht dhe duke u ndjekur penalisht. Unë besoj në sistemin e drejtësisë, dhe mora këtë vendim, nuk kishte asnjë kuptim ta vonoja më tej,” tha Biden.
Hunter Biden ishte shpallur fajtor për vepra penale federale lidhur me posedimin në mënyrë të paligjshme të një arme zjarri dhe mospagim taksash. Biden më herët kishte thënë se nuk do ta falte djalin e tij dhe nuk do t’ia zbuste dënimin pas shpalljes së tij fajtor për dy raste në Delauer dhe Kaliforni.
Lëvizja e tij vjen disa javë përpara se Hunter Bidenit t’i jepej dënimi pasi u shpall fajtor për rastin e armëmbajtjes dhe pranimit të fajit për akuzat e lidhur me taksat, si edhe më pak se dy muaj përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Falja nga i ati i jep fund një sage ligjore për Hunter i cili bëri të ditur publikisht se ishte nën hetim federal në dhjetor 2020 një muaj pas fitores së babait të tij.
Ai përballej edhe me akuza të tjera në shtetin e Kalifornisë se nuk kishte paguar të paktën 1.4 milionë dollarë taksa. Hunter Biden pranoi fajësinë për të shmangur problemet e mëtejshme për familjen e tij, pasi gjyqi për armëmbajtjen nxorri në pah detaje rreth varësisë ndaj kokainës. Presidenti i zgjedhur Donald Tump e ka cilësuar vendimin e Biden si një abuzim me drejtësinë dhe dështim të sistemit.
Klan News