Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk do të shkojë për vizitë në Shkup të enjten.
Zyra e tij bëri të ditur vonë pasdite se kjo vizitë është anuluar për shkak të ndryshimit të karakterit të vizitës.
Fillimisht ajo ishte paraparë të jetë zyrtare, ndërsa që më vonë është shndërruar në vizitë punë.
Në një intervistë ekskluzive dhënë Klan Kosovës të mërkurën në mesditë presidenti Sejdiu la të nënkuptohet se vizita nuk do të ndodhë.
Fatmir Sejdiu: “Nëse do të ketë tendenca nganjëherë unë s’duhet të merrem me spekulimet se mund të jenë pjesë e eskivimit nga karakteri zyrtar i një vizite dhe të shkohet në rrugë të tjera të trajtimit jashtë asaj që është procedurë normale dhe rregull normale e një protokolli të shtetit.”
Presidenti Fatmir Sejdiu mori një ftesë për vizitë në Maqedoni nga homologu i tij maqedonas me 13 Maj, një ditë pas inaugurimit të George Ivanov për president të Maqedonisë, ceremoni kjo në të cilën Sejdiu ishte i vetmi lider i rajonit që nuk ishte i pranishëm.
Një qëndrim i butë i presidentit kosovar karshi injorimit maqedonas u kritikua nga publiku.
Ftesa për vizitë i është dorëzuar zyrës së presidentit kosovar nëpërmjet zyrës ndërlidhëse të Maqedonisë në Prishtinë./tvklan.al