9 muaj pas pavarësisë së shtetit të Kosovës presidenti Fatmir Sejdiu i shoqëruar dhe nga një delegacion u prit në një vizitë zyrtare nga homologu i tij Bamir Topi pas ftesës së bërë nga ky i fundit.
Gjatë takimeve të zhvilluara në Pallatin e Brigadave, dy zyrtarët e lartë e kanë vënë theksin në intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike në shkëmbimet tregtare, dhe impaktin që do të ketë përfundimi i rrugës Durrës-Morinë.
Bamir Topi: “Situata e krijuar në Kosovë pas pavarësisë, imponon nevojën e stimulimit të marrëdhënieve ekonomike. Ndërtimi i rrugës në mënyrë të drejtpërdrejtë do të influencojë në rritjen e këtyre shkëmbimeve dhe nuk do të ketë thjesht shkëmbime që vijnë si pasojë e një biznesi të organizuar, por do të jetë edhe një shkëmbim marrëdhëniesh ekonomike të njerëzve të lirë.”
Fatmir Sejdiu: “Ajo është me rëndësi që të depërtojmë me kualitete, me konkurrencën në ligjet bashkëkohëse të ekonomisë së tregut dhe paralelisht me ketë, që të krijojmë edhe një bashkëpunim të ndërlidhur në segmente të veçanta të specifikave të secilit vend.”
Ndërsa kanë mohuar njëzëri mundësinë e një skenari për ndarjen e Kosovës, dy presidentët ai Sejdiu dhe Topi theksuan si prioritet për të dy vendet kontrollin e kufijve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Bamir Topi: “Një luftë dhe një presdispozicion institucional për një goditje të organizuar kundër krimit të organizuar.”
Fatmir Sejdiu: “As Shqipëria dhe as Kosova nuk mund të trajtohen si nganjëherë thirret nga gojë këqijtë si pjesë të transitit apo të oazave të krimit të organizuar. Për ne është me rëndësi që ekziston një stabilitet i rëndësishëm në vend.”
Në nder të vizitës së tij në Tiranë, presidenti Topi e dekoroi zotin Sejdiu me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për merita dhe kontribut të veçantë në realizimin e pavarësisë dhe udhëheqjes kosovare. Më pas ky i fundit ka vendosur dhe një kurorë në monumentin “Nënë Shqipëri.”
Presidenti kosovar gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë u takua dhe me kryeministrin Berisha. Të dy zyrtarët e kanë cilësuar rrugën Durrës-Morinë si investimin më të madh urë lidhës mes dy shteteve dhe vendeve të rajonit.
Sali Berisha: “Unë e sigurova presidentin, se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Me theks të veçantë në fushën ekonomike. Shqipëria po punon në projekte infrastrukturore të lidhjeve rrugën Morinë-Durrës. Po përfundon projekti së shpejti i rrugës Fierz-Koman, rruga e Arbrit dhe do shqyrtohen të gjitha lidhjet e mundshme, përfshirë hekurudhën dhe lidhje të tjera, të cilat do të jenë të përshtatshme për dy vendet.”
Fatmir Sejdiu: “Veçoj me gjithë zemër pjesë e zhvillimeve historike të Kosovës. Kosova do të jetë përjetë falënderuese për këtë mbështetje.”/tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro