Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të realizojë një vizitë shtetërore këtë javë në Korenë e Veriut. Xi do të takojë udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong Un, gjatë vizitës të enjten dhe të premten, raportoi televizioni shtetëror i Kinës, CCTV.
Sipas tij, udhëtimi do të jetë i pari i tillë i një udhëheqësi kinez në 14 vjet. Agjencia e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA njoftoi për vizitën, por nuk dha më shumë detaje. Vizita përkon me 70-vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Koresë së Veriut.
Sipas televizionit CCTV, dy liderët do të shkëmbejnë pikëpamje mbi situatën në Gadishullin Korean. Vizita vjen në kohën kur bisedimet e Shteteve të Bashkuara me Korenë e Veriut, rreth programit të saj bërthamor, kanë ngecur. Në muajin Shkurt, një samit në Vietnam midis Kim dhe Presidentit amerikan, Donald Trump, ka dështuar për shkak të dallimeve midis palëve. /REL