15 nëntori, është data kur kosovarët do dalin ta japin votën për t’i zgjedhur të preferuarit e komunave të tyre. Ky është vendimi që presidenti Fatmir Sejdiu, e mori të martën pas konsultave disajavëshe.

Fatmir Sejdiu: “Presidenti i Republikës së Kosovës, merr këtë vendim. Zgjedhjet e ardhshme lokale në republikën e Kosovës do të mbahen në 15 nëntor të vitit 2009”.

Vendimin e tij kreu i shtetit tha se e ka marrë bazuar në vullnetin e shumicës së partive të cilët i ka konsultuar.

Fatmir Sejdiu: “Unë them se është vullneti i të gjitha partive politike që zgjedhjet të mbahen në afatin  rregullave, afat ligjor. Është vullnet themi dhe i partive tjera politike që zgjedhjet të mbahen në nëntor dhe datat orientimet e tyre kanë qenë pjesë e parë të nëntorit dhe deri me 15”.

Sipas Sejdiut, OSBE-ja mund të ketë vetëm rolin mbështetës për procesin zgjedhor.

Fatmir Sejdiu: “OSBE-ja nuk mund të jetë faktor për certifikimin e zgjedhjeve, por do të jetë faktor për ndihmën, mbështetjen e tyre dhe mund të them monitorimin e tyre absolutisht. Për ne është me rëndësi që të kemi ftesën edhe për involvim, edhe të gjithë faktorëve të tjerë të qendrës ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe të tjerë që mund të jenë të rëndësishëm në këtë proces”.

Kreu i vendit nuk deshi të paragjykoj nëse serbët do të marrin pjesë në zgjedhje. Por tha se institucionet e Kosovës po punojnë për të krijuar kushte sa më të mira për votim dhe u bëri thirrje të gjithëve që të bëhen pjesë e këtij procesi./tvklan.al