6 ditë përpara votimeve të 28 qershorit, kreu i shtetit Bamir Topi ka bërë apel për zgjedhje të lira dhe të qeta duke i kërkuar institucioneve shtetërore garantimin e një procesi të rregullt ligjor. Ai mblodhi në një tryezë, krerë të lartë të institucioneve kushtetuese, gjyqësori, prokurorisë, policia dhe Avokati i Popullit dhe kërkoi që të ruhet një klimë e qetë para dhe pas zgjedhore.
Bamir Topi: “Duhet të bëjmë ç’është e mundur që prova e parë e një vendi që është anëtarësuar në NATO që është një përgjegjësi e jashtëzakonshme e politikës dhe institucioneve, përgjegjësi e jashtëzakonshme për çdo qytetarë, duhet të japim testin e demokracisë. Këto zgjedhje realisht do të kondicionojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Pavarësisht kudh do të jetë fituesi apo humbësi, dita e zgjedhjeve nuk është një ditë betejash.”
Në një takim me krerët e institucioneve kushtetuese në Pallatin e Brigadave, presidenti theksoi se roli i tyre është me rëndësi në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Bamir Topi: “Ju siguroj se gjithçka do të shkojë në mënyrë shumë natyrale drejt procesit të liberalizimit të vizave dhe këtë s’ka nevojë ta premtojnë partitë, ne duhet ta premtojmë të gjithë. Jemi të gjithë të interesuar, nga Presidenti i Republikës tek të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të rëndësishme për t’i thënë qytetarëve që jo vetëm ne lëvizim të lirë, ne që na keni dhënë besimin, na keni dhënë votën, po duhet të lëvizni edhe ju. Pushtetet janë të ndara, të gjithë pushtetet funksionojnë në mënyrë shumë të harmonizuar për t’i dhënë tipare demokratke shtetit, të një shteti të fortë të një shteti i cili konsolidohet çdo ditë, të një Shqipërie që nuk ka në mënyrë absolute asnjë shans të ketë kthim mbrapa apo të bëjë hap mbrapa.”
Takimi mes presidentit Topi dhe krerëve të lartë të disa prej institucioneve ka vazhduar me dyer të mbyllura./tvklan.al
Gazetare Anduena Llabani