Albert Risilia: “Më kujtohet dora e pasme e monumentit ishte me dy gishta të kthyer kështu dhe kavo është vendos në këtë pozicion edhe me kolpo, me kolpo i dhamë dhe ra. Më kujtohet kur ra, 4 ditë nuk kam fjetur në shtëpi dhe më kërkonin.”
Moment kur Albert Risilia një nga protagonistët e rrëzimit të bustit të diktatorit në 20 shkurt të vitit 1991, do të përjetonte emocione të forta. Një ngjizje mes urrejtjes për regjimin dhe nevojës për liri.
Etja për demokraci do të përkthejë një angazhim njerëzor të pakrahasueshëm që mishëronte dhimbjen e atyre që vuanin persekutimin e gjatë, në fakt të një kombi që në ato vite të zjarrta kishte vendosur të merrte në dorë fatet e tij.
Sajmir Maloku: “Frikë nuk kishim, nuk kishim frikë se idealja jonë ishte demokracia, ne kishim vuajt gjithë nëpër burgje ishim persekutuar në kulm.”
Të gjitha zhvillimet janë po aq të qarta sikurse atë ditë shkurti.
Albert Risilia: “Tek Liceu Artistik na pret policia, ata ishin përgatitur, aty u bë një përleshje. Më kujtohen, jam edhe i filmuar dhe duke i përshëndetur dhe policët që ne jemi si ju.”
Sajmir Maloku dhe Albert Risilia janë vetëm dy prej protagonistëve të shkurtit 1991 që kontribuuan në rrëzimin e simboleve të komunizmit. Gjithsej 14 prej tyre janë dekoruar nga presidenti i republikës Bamir Topi me medaljen e artë të mirënjohjes, si dhe pishtarit të demokracisë.
Një ceremoni në Pallatin e Brigadave që për nga orari i përzgjedhur përkonte pikërisht me momentin e rrëzimit të bustit. Interesant tingëllonte një fakt, se shumë prej pjesëmarrësve të ngjarjeve të shkurtit ’91 ishin gra.
Presidenti dekoroi gjithashtu, qendrën për rehabilitimin e viktimave traumës dhe torturës, si dhe bashkimin e sindikatave të pavarura të Shqipërisë.
Sajmir Maloku dekorohet me medaljen e artë të shqiponjës, ideator të rrëzimit të simboleve, udhëheqës të turmës. Ata që udhëhoqën përgjatë bulevardit bustin e diktatorit, shkruan me bojë këpucësh në pëlhurë “Liri demokraci” të gjithë morën mirënjohjen e thellë të kryetarit të shtetit./tvklan.alGazetare: Menada Zaimi