Topi: Unë jo negociator mes palëve për zgjedhjet

Presidenti i Republikës Bamir Topi, deklaroi mbrëmë në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, se vendi po përjeton një përkeqësim të dialogut politik. Kreu i shtetit tha, se në situatën aktuale, nuk pret të ketë një lloj sinjali nga politika, për të ndërmjetësuar atë që vetë presidenti e quan çështje të vullnetit dhe ballafaqimit politik të partive.  Më tej ai shtoi se nuk futet në këtë debat në lidhje me çështjet e zgjedhjeve.

Bamir Topi: “Për sa i përket çështjeve të zgjedhjeve unë po e them në mënyrë shumë eksplicite, nuk futem në këtë debat. Nuk futem në këtë debat, sepse edhe një herë KQZ është i kompozuar me një profil të pastër partiak, çka do të thotë që ka qenë vullneti i palëve për të ndërtuar KQZ-në. Nëse presidenti do të kishte një përfaqësues, atëherë e kishte detyrim kushtetues dhe moral që të interferonte. Fakti që KQZ e ka një kompozicion partiak, është organi që e certifikon, është përgjegjësia e tyre. Në mënyrën më absolute presidenti nuk duhet të futet tek vendimi i gjykatave. Është kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ju e keni parë me vepra konkrete, kur janë rrëzuar vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nga Gjykata e Lartë, unë kam përshëndetur”

Blendi Fevziu: “Nuk keni ndërhyrë?  

Bamir Topi: “Në mënyrën më absolute nuk kam ndërhyrë, duke i dhënë të drejtën që i takon gjykatës së lartë, pra është parimi i pavarësisë të çdo shkalle gjyqësore, sikurse nuk mund të influencoj në raportet e OSBE-ODHIR, pra janë tre referenca që unë i ripërsëris, që më japin të drejtën të mbaj atë pozicion që kam mbajtur dhe nuk e shoh të arsyeshme që të ndërhyj, sepse janë mekanizma të cilat kanë certifikuar. Janë ato tek të cilat partitë politike mund të gjejnë shpjegimin”.

Duke ju përgjigjur pyetjes së drejtuesit të emisionit mbi procesin e heqjes së vizave për shqiptarët, Presidenti Topi u shpreh i sigurt se kjo do të ndodhë së bashku me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, gjatë verës së vitit të ardhshëm./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami