Presidenti  i Republikës, Bamir Topi, ripërsëriti qëndrimin kundër bojkotit të kuvendit nga opozita.

I pyetur nga gazetarët kryetari i shtetit nuk bëri komente mbi vendimin më të fundit të Partisë Socialiste, e cila bojkotit me kushte të kuvendit i ka shtuar dhe protestat popullore, por sugjeroi një rilexim të fjalimit të tij në prag të çeljes së sesionit të ri  parlamentar.

Bamir Topi: “Unë kam pasur një parim, edhe atëherë kur isha në politikë nuk komentoja vendimmarrjen e opozitës apo të maxhorancës kur e ishim në opozitë, aq më shumë sot që jam president. Mesazhin tim e keni pikërisht në momentin e inaugurimit të parlamentit të ri. Aty është një koncentrat e gjithçkaje që unë kam menduar dhe vazhdoj të mendoj. E keni në atë mesazh që kam dhënë. Unë asnjëherë nuk kam qenë për bojkot.”

Në fjalimin e tij përshëndetës, për legjislaturën e 18 të kuvendit, presidenti nënvizonte se

Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë. Një fjali e nxitur nga vendimi i opozitës për bojkot me kushte të kuvendit.

Presidenti e pa të udhës të drejtojë këtë thirrje nisur dhe nga nevojat e vendit për reforma të guximshme për shtet ligjor dhe standarde evropiane./tvklan.al

Gazetarja: Menada Zaimi