Një 28-vjeçar është vënë në pranga për zjarrvënie dhe prerje të paligjshme të pyjeve. Policia thotë se i riu ka prerë disa pemë në vendin e quajtur “Qafa e Kutreqit” në Zall Bastar dhe më pas i ka vënë zjarrin një pjesë të pyllit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, arrestuan në flagrancë shtetasin: O. D., 28 vjeç, për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, parashikuar nga nenet 205 dhe 206/a të Kodit Penal”, tha policia.
Drejtoria e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin dhe fton ata që të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast të zjarrvënies ose çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm./tvklan.al