Lulishtja që shtrihej në brendësi të këtij blloku banimi në lagjen 24 Maj të qytetit të Vlorës është zëvendësuar brenda pak ditësh nga një gropë e madhe e hapur nga mjete të rënda.
Banorët akuzojnë bashkinë e qytetit se ka dhënë jashtë të gjitha kritereve leje për ndërtimin e një godine shumëkatëshe.
Sipas tyre uzurpimi i kësaj sipërfaqeje jo vetëm që zvogëlon hapësirat e gjelbërta, por kërcënon edhe konstruksionin e banesave përreth.
“Unë jam në kat të parë. Është çarë pallati. Është rërë, precipiton ujin”.
“Në urbanistikë që është e sot e kësaj dite, që e kanë këta zotërinjtë në bashki kjo ekziston lulishte. Ekziston lulishte se shikohet. Pse e shitën?”
“S’kanë ku të lozin fëmija, vetë s’kemi ku të dalim. Ne këtu duam Shpëtim Gjikën të vijë se ai na tha që do e bëjë lulishte.”
“Bile na premtoi që në qoftë tha se do bëhet pallat atje, në qoftë se do shkojë njeri mbi kockat tona tha, atëherë do bëhet pallat atje.”
“Do rrimë atje brenda, do hidhemi brenda në gropë. Bashkë me eskavatorin, do e marrim do e hedhim në kosh të plehrave”.
Lidhur me kryerjen e këtyre punimeve bashkia e qytetit nuk ka dhënë asnjë sqarim, ndërkohë që vetë banorët shprehen se nëse nuk do të anulohet ngritja e ndërtesës, atëherë ata do t’i drejtohen gjykatës./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami