Moskordinimi në kohë mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe pushtetit lokal, ka krijuar konfuzion lidhur me vendndodhjen e qendrave të votimit ne disa qarqe te vendit. Shumë komuna dhe bashki kanë reduktuar ose shtuar numrin e tyre në varësi të listës së zgjedhësve. Ky  ndryshim nuk korrespondon me hartën e përgatitur nga KQZ-ja dhe dokumentacionin zgjedhor, të përpiluara në bazë të informacionit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.

Ditët e fundit, komisioni u ka bërë thirrje disa herë njësive vendore që të sjellin listat me adresat e sakta të qendrave të votimit. Drejtuesit e këtij institucioni bëjnë me përgjegjësi pushtetarët vendorë, por sqarojnë se situata është nën kontroll.

Leonard Olli: “Këta drejtues vendorë me papërgjegjshmëri shuam të madhe dhe jashtëzakonisht duke kapërcyer të gjithë afatet kohorë, në vend që të ndiqnin me vëmendje udhëzimet që drejtonte komisioni qendror i zgjedhjeve ata kërkuan ndryshimin e qendrave të votimit. Ajo çka është problemi më i madh është, a janë njoftuar zgjedhësit për këto ndryshime në qendrat e tyre të votimit. Tradicionalisht ata janë mësuar të votojnë në një qendër votimi, kush është organi përgjegjës. Në rastin konkret pushteti vendor, i cili guxon të cenojë të drejtën e tyre për të votuar.”

Në ndryshim nga herët e tjera banorët e fshatit Mazrek dhe Shpor të komunës Gur i Zi në Shkodër do të kenë një qendër të përbashkët votimi dhe jo dy siç është parashikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Hera e par sivjet që votoj, se unë rri në një fshat tjetër, kemi pasur qendrën andej. Tani jemi ndarë prej atje kemi ardhur këtu.”

Gazetari: “E dini qendrën e votimit ku ju duhet të votoni?”

“Se kemi marrë vesh.”

Gazetari: “Nuk ju kanë njoftuar?”

“Jo.”

Gazetari: “Ku keni votuar herën e kaluar?”

“Gjithë kohën qendra numër 2.”

Broza Marku: “Arsyeja kryesore është se në fshatin Mazdrek nuk k objekt shtetëror ku mund të zhvillohen zgjedhjet normalisht dhe e dyta bashkimi i kësaj qendre votuese që votojnë këtu nuk e kalojnë shifrën 300, kështu është brenda kushteve që përcakton Komisioni Zgjedhor.”

Edhe ne komunën Libonik të Korçës, Komisioni  Zonal i Administrimit te Zgjedhjeve raporton për 3 qendra votimi me pak nga sa figurojnë në hartën e KQZ-së.

Petrit Kupe: “Ne për arsye të numrit të pakët të familjeve që janë në këtë zonë, të numrit të pakët të votuesve dhe të numrit të pakët të komisonerëve, vendosëm që t’i bashkojmë të 3 qendrat në një qendër të vetme votimi që është kryeqendra e zonës. Për këtë kemi respektuar afatet e kemi dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kemi marrë dhe miratimin përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.”

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tashmë në dorë hartën reale të shpërndarjes së qendrave të votimit, mbetet ende pikëpyetje nëse do të kapërcehen vështirësitë e krijuara.

Leonard Olli: “Duke e ndarë një qendër votimi në 2, ku do të gjejë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fletën e votimit e cila do të jetë e dedikuar për këtë qendër votimi. E imagjinoni që kjo të ndodhë në një numër x qendrash votimi se çfarë kolapsi do të ndodhemi dhe si rezultat i ndërhyrjes së komisionit qendror të zgjedhjeve, sigurisht u bë e mundur një lloj ekuilibrimi dhe duke minimizuar maksimalisht këto qendra votimi, të cilat ishin problematike.”

Më datën 28 qershor kutive të votimit do tu drejtohen më shumë se 3 milionë shqiptarë, të cilët do të zgjedhin qeverinë që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme./tvklan.al

Gazetar: Leonard Mitro