Prej disa javësh mësimi në të gjithë vendin po zhvillohet online. Por ekspertët e fushës ngrenë disa çështje, për të cilat duket se nuk është menduar sa duhet, siç është aksesi në internet.

Sipas psikologes dhe pedagoges, Oriola Pampurit janë rreth 30 mijë familje me ndihmë ekonomike, që i shtohet edhe shpenzimi i internetit.

Oriola Pampuri: Mos të harrojmë që janë rreth 30 mijë familje, të cilat marrin ndihmë ekonomike, të cilat jetojnë me ndihmë ekonomike. I shtohet dhe një shpenzim tjetër, i cili duhet të jetë interneti, që të kenë mundësi fëmijët të aksesojnë, të përfshihen në leksionet e shkollës. Ky është një shpenzim i tepërt më shumë për ata dhe është një vështirësi më shumë. Vërtet është folur për mësime online, lidhja e nxënësve me shkollën, por nuk duhet të harrojmë faktin, që jo të gjithë fëmijët e kanë këtë mundësi. Këtë mundësi mund ta kenë ata fëmijë, që janë në qendër të Tiranës, por ka fëmijë të tjerë, që janë në zona rurale, në zona të thella rurale. Unë nuk dua të përjashtoj fëmijët, që jetojnë në Tiranë, por nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë internet, për të paguar internetin. Kështu që unë vërtet mendoj që fëmijët duhet të jenë të përfshirë, që të mos harrojnë, mos të largohen nga librat, të jenë pranë librave, sepse një periudhë e gjatë larg tyre, sigurisht ftoh dhe marrëdhënien e tyre me shkollën, me librat etj. Pra e bën më të vështirë rikthimin. Duhet që shteti të marrë masa që nga veriu në jug, nga fëmija i parë deri tek i fundit, nga adoleshenti i parë deri tek i fundit, në qoftë se ky program, do të shtrihet më pas dhe në pjesën akademike. A kanë mundësi të kenë akses në internet, kjo duhet të jetë e para. Përpara se të merren vendime të tilla, duhet të merren masat. Pa marrë masa, nuk mund të ndërmarrësh iniciativa.

Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti kujton se në Janar 2018, Ministria e Arsimit doli në konkluzionin, se 45 minuta për librat dhe kurrikulën e re nuk arrihej dhe e bëri 3 lëndë në 6 orë. Një gjë e tillë e komplikon sërish procesin e mësimit online.

Ndriçim Mehmeti: Ministria e Arsimit në 2018, Janar të 2018 doli në konkluzionin, se 45 minuta për librat dhe kurrikulën e re, që ajo kishte marrë nuk arrihej dhe e bëri 3 lëndë në 6 orë. Si 90 minuta zëvendësohen me 20 minuta? Aq më tepër, që kemi një platformë, që është e paliçensuar, e pa-akredituar. Si mund të mësojnë nxënësit për një orë e gjysmë dhe pastaj në pasdite mësojnë maturantët. Ç’është ky mësim pasdite për maturantët? Do të isha, që ministrja të dalë dhe të thotë të vërteta hapur, që janë për këtë çështje, që do të thotë, pra.. Viti shkollor ka mbaruar për klasën e parë deri të tetë. Të shohim, nëse mund të shpëtojmë klasën e 9-të deri të 12-të. Të jepej mësim nga ora 9-14.00 apo 15.00 me një pushim dreke, për nxënësit e klasës së 9-të dhe klasës së 12-të. Viti akademik të shtyhej nga Qershori dhe të mbaronte në fillim të Gushtit, pastaj për nxënësit e tjerë të fillonte në datën 20 Gusht apo 25, të rimerreshin të gjitha dijet që ishin dhënë dhe në fillim të Tetorit, të fillonim vitin shkollor.

Një tjetër problem, sipas Mehmetit është edhe procedura e testimeve dhe vlerësimeve online.

Ndriçim Mehmeti: Testi në shtëpi është i pakontrollueshëm dhe të del nga dora, sepse nuk ke një mësim si në rastet që janë në vendet nordike. Pra monitorimi është pothuajse zero nga mundësitë, që ai mund të abuzojë ose e thënë shqip, kopjon. Së dyti përsa i takon vlerësimit, nuk mund të bëhet vlerësimi, siç bën Ministria e Arsimit. Nuk mund të ketë mësim online dhe të ketë vlerësim online. Vlerësimi online është i vështirë dhe për vende shumë të zhvilluara sepse e ke mundësinë e abuzimit shumë të lartë.

Veç kësaj nuk është menduar për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe nevoja ndryshe, që janë mbi 30 mijë nxënës. Një tjetër hallkë e dobët e zinxhirit është dhe në shkollat profesionale, që kanë teori dhe praktikë, por nuk mund ta realizojnë dot.

Ndriçim Mehmeti: Nxënësit, që janë më aftësi të kufizuara dhe nevoja ndryshe, kemi klasat kolektive si do të bësh mësimin online, nuk janë pak, janë 10% e nxënësve në arsimin bazë, pra janë mbi 30 mijë nxënës. Si do të bëhet vlerësimi për shkollat profesionale, që ka teori dhe praktikë profesionale? A mund të ma thotë dikush? Si do të bëhet vlerësimi për studentët e mjekësisë, infermierisë, fizioterapisë, mësuesisë, që kanë kohën e praktikave profesionale, shkollat janë mbyllur dhe praktikat janë një moment, që t’i mund të humbasësh gjithë vitin. Praktikën s’ke ku ta japësh më ose e jep tani, pra e ndjek në mënyrë fizike, ose atëherë e humbet përfundimisht. Pra, ka një sërë çështjesh, që ministria duhet të kthejë përgjigje urgjente.

Një nxënës, në një bisedë telefonike u shpreh se nuk kanë zhvilluar konsultime dhe mësimi nuk është zhvilluar në mënyrën më të mirë.

Nxënës: Unë jam në maturë. mësuesit na bëjnë që të kalojmë nga një paltformë në tjetrën. Nuk kemi zhvilluar aspak konsultime dhe mësimi nuk është zhvilluar në mënyrën më të mirë.

Gazetarja: A kemi të bëjmë me një shpjegim të mirëfilltë, siç ndodh në shkollë?

Nxënësi: Aspak, thjesht na japin detyra, na japin temën e mësimit dhe kaq. Nxënësit nuk është se kanë të gjithë internet, por mësuesit nuk e marrin parasysh fare.

Më tej, Oriola Pampuri, shprehet se duhet të gjendet një zgjidhje për të treja ciklet dhe më pas të niset një linjë, e cila do t’i jepte një zgjidhje. 

Oriola Pampuri: Unë mendoj, që është një masë, e cila nuk njeh ndasi, cikël 9-vjeçar, paraunversitar dhe universitar. Duhet të gjendet një zgjidhje për të treja ciklet dhe më pas të niset një linjë, e cila do t’i jepte një zgjidhje./tvklan.al