Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Procesi “Kokaina” shënoi seancën rekord të zhvilluar deri tani. Ajo zgjati më shumë se 5 orë, u ndërpre disa herë dhe u shoqërua vazhdimisht me tensione mes palëve pjesëmarrëse dhe reagim të ashpër të të pandehurve ndaj dëgjimit të kasetës me regjistrimin e dëshmisë së italianes Lidia Cestari.

Në fillim të seancës, i pandehuri Sokol Koçiu, ka ripërsëritur kërkesat dhe pretendimet e tij. Debati u ndërpre pas vendimit të gjykatës për disa minuta pushim, por në pjesën e dytë të saj, Koçiu kërkoi për të disatën herë përjashtimin e kryetarit të seancës, Gjin Gjoni.

Brenda disa minutave, krerët e gjykatës së rrethit të Tiranës, e rrëzuan këtë kërkesë dhe Gjoni nisi për të tretën herë brenda një dite seancën, ku ai vendosi të dëgjohet dëshmia e Lidia Cestarit, marrë në Gjykatën e Apelit të Romës, në Nëntor të vitit 2002. Reagimi i 6 të akuzuarve qe i menjëhershëm, por ata u përjashtuan nga gjyqtari njëri pas tjetrit, për thyerje të disiplinës.

Në dëshminë që u dëgjua në sallë, Cestari pohon, se kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1998 dhe e kishte takuar Kolin dhe Lekon, që sipas akuzës janë të pandehurit Sokol Koçiu dhe Frederik Durda. Koli ishte prezantuar si shef i anti-mafies në Shqipëri dhe si djali i presidentit, ka thënë Cestari.

Tensioni në sallë është përsëritur, ndërsa ka reaguar bashkëshortja e Koçiut, por seanca vazhdoi me dëgjimin e kasetës, ku dëshmitarja pohon në prani të palëve pjesëmarrëse në procesin Kokaina, se me Kolin dhe Lekën ishte biseduar për transportin nga Kolumbi të 800 kg kokainë. Kjo sasi do të kalonte transit në Shqipëri, pa probleme, siç thuhet të ketë premtuar Koçiu në atë kohë, oficer i policisë gjyqësore në prokurorinë e përgjithshme. Sasia do t’u shitej rusëve, kundër shumave marramendëse në dollarë.

Gjykata e Tiranës, pritet të vendosë në ditët e ardhshme nëse do ta marrë këtë dëshmi, si provë kundër 6 të pandehurve. Dëgjimi i saj në sallë ka dështuar për disa seanca rresht, pasi është kundërshtuar nga të akuzuarit./tvklan.al