Një 71-vjeçar amerikan, i identifikuar si David Ira Lang, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur në Shqipëri.

Pas hetimeve disamujore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Gjurma virtuale” në bashkëpunim edhe me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së ShBA në Tiranë, policia arriti të identifikojë dhe ndalojë 71-vjeçarin me shtetësi amerikane dhe me banim në Tiranë.

Gjatë kontrollit në shtëpinë ku i moshuari banonte, u gjetën dhe u sekuestruan pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që sipas policisë kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

71-vjeçari kishte precendentë penalë në të shkuarën jashtë vendit tonë, pasi ai është dënuar nga një gjykatë ruse të kalojë 7.6 vite në mërgim për filmimin dhe shitjen e materialeve pornografike ku ishin përfshirë dhjetëra fëmijë të mitur.

David Lang, i cili njihej si një konsulent biznesi dhe mësues anglishteje, drejtonte një studio të paligjshme të filmit për 9 vjet në Chelyabinsk në Rusi, përpara se të arrestohej.

Ai u shpall fajtor për marrëdhënie seksuale dhe akte të tjera të natyrës seksuale me persona që nuk kanë mbushur moshën 16 vjeç.


Njoftimi i Policisë:

Finalizohet pas disa muajsh hetime operacioni policor i koduar “Gjurma virtuale”.

Operacioni, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Task Forcës për Shërbimet e Përbashkëta Investiguese në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Njësisë kundër Krimeve Kibernetike, me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së ShBA në Tiranë (RSO/OCIU) dhe me Prokurorinë e Tiranës

Prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur, arrestohet 71-vjeçari (shtetas amerikan, me precedent penal jashtë Shqipërisë).

Hetimet disamujore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma virtuale” rezultuan me identifikimin dhe ndalimin e shtetasit amerikan D. L., 71 vjeç, banues në Tiranë.

Ai dyshohet se në Shqipëri, prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur.

Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, për lejim të kontrollit, Departamenti i Policisë Kriminale kreu kontroll në banesën e 71-vjeçarit, ku gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Vijojnë hetimet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


Tv Klan