Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar të prezantoj programin e ri qeverisës këtë herë në qytetin e Shkodrës. Gjatë fjalës se tij kryesocialisti Rama ka paralelizuar idenë e ndërtimit të centralit bërthamor me atë të ndërtimit të TEC-it në Vlorë. Sipas Ramës, Berisha edhe në vitin 2005 i kishte premtuar vlonjatëve se do të bëhej një referendum për TEC-in, por kjo gjë nuk ndodhi kurrë e gjitha ishte thjesht një premtim për të marrë votat.
Edi Rama: “ Pas 68 ditësh ne do ta dëbojmë këtë fantazim ndjella keqe të centralit bërthamorë nga dyert e këtij qyteti që s’mund të bëhet kurrë Gërdeci i Evropës dhe do ta mbyllim njëherë e mirë në arkivin e gafave 18 vjeçare ë politikës së vjetër, idenë marroqe të centralit bërthamorë në Shkodër. Kur Sali Berisha të vijë këtu pas pak ditësh dhe të thotë se nuk e në centralin pa qenë ju dakord, mos harroni se po kështu ju tha vlonjatëve 4 vjet më parë për TEC-in kur i duheshin vota dhe pastaj i rrahu dhe i futi në burg sepse i kërkuan të mos e ndërtonte TEC-in pa mbajtur fjalën e dhënë për të bërë”
Duke folur për programin qeverisës Rama ka deklaruar se punësimi ka për të qenë një nga prioritet kryesore.
Edi Rama: “Punësimi do të jetë për ne kryefjala e përpjekjes sonë dhe çdo i papunë do të jetë njëri nga ne në nevojë për ndihmë. Arsim kundër papunësisë, nxitje e sipërmarrjes prodhuese në vend kundër papunësisë. Fshat i mbështetur fuqishëm nga qeveria kundër papunësisë, turizëm i zhvilluar kundër papunësisë, ndihmë ekonomike kundër papunësisë.”
Në fund kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se ka ardhur koha që të largohemi nga politika e vjetër dhe të shikojmë përpara duke hapur një faqe të re në shërbim të së ardhmes./tvklan.al