Lajme Arkiva 2003

Prokurorët dhe të pandehurit e dosjes “Kokaina” i kanë përfunduar deklarimet për këtë çështje dhe ditën e hënë Gjykata e Tiranës pritet të shpallë vendimin pas më shumë se një viti të zhvillimit të këtij procesi. Deklarimet e fundit i dhanë sot të pandehurit Sokol Koçiu, Vehbi Hysi dhe Alfred Nanaj.

Sokol Koçiu:  Kërkoj deklarimin e pafajësisë sime për të gjitha akuzat e padrejta të ngritura në ngarkimin tim në procedimin penal numër 168 më datë 31.01.2001 dhe lirimin e menjëhershëm nga dhomat e paraburgimit të repartit 313 të Tiranës. 2. Kthimin e menjëhershëm të motoskafit të sekuestruar, objekt i këtij gjykimi si edhe sendet dhe objektet e sekuestruara padrejtësisht. Tiranë, Sokol Koçiu!

Mbrojtja e të akuzuarve u bë gjatë dy seancave të fundit. Ata kërkuan pafajësinë ndërkohë që prokuroria i konsideroi fajtor për krijimin të organizatës kriminale me qëllim trafikimin e organizatës kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Akuza kërkon dënimin e Frederik Durdës me 20 vjet burg. Të Arben Përballës dhe Sokol Koçiut secili me nga 18 vjet, Din Gjonaj me 15 vjet dhe Alfred Nanaj me 7 vjet e 6 muaj dhe Vehbi Hysit me 6 vjet burg.

Urdhër arrestet për të pandehurit u ekzekutuan në Shqipëri në 2 Shkurt të vitit 2001 dhe më pas. Sokol Koçiu qe i pari zyrtar që arrestohej në Shqipëri si i përfshirë në një organizatë kriminale për trafikun e drogës dhe që në atë kohë kryente funksionin oficerit të policisë gjyqësore pranë prokurorisë së përgjithshme.

Pjesa më e madhe e provave dhe e përgjimeve erdhi me letër-porosi nga autoritetet e Italisë vend ku vepronin disa persona për të njëjtën organizatë. Ata më pas fituan statusin e të penduarit dhe dhanë deklarime kundër të pandehurve shqiptarë të çështjes “Kokaina”./tvklan.al