Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në Prokurorinë e Elbasanit po vazhdojnë hetimet pas akuzave që Partia Demokratike ka ngritur ndaj deputetes së PS Valendtina Leskaj. Një grup prokurorësh po punojnë me përparësi, për të zbardhur të vërtetën e ndihmave që u shpërndanë në Elbasan, një ditë para zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve të pjesshme të zonës 52 të këtij qyteti.

Prokurori i rrethit Durim Bedini, u shpreh për TV Klan, se Prokuroria e Elbasanit ka angazhuar një grup prokurorësh, për të zbuluar të vërtetën e denoncimit, që subjekti PD, ka ngritur ndaj zonjës Leskaj, që më 28 Dhjetor.

Prokurori Durim Bedini:- “Po punohet me plan të detajuar, për të kryer veprimet sa më shpejt, me objektivitet dhe me paanshmëri, duke bashkëpunuar me pushtetin vendor në Elbasan dhe në drejtim edhe të zotërimit të Prokurorisë së Përgjithshme”.

Denoncimi për këtë çështje u bë nga kryetari i PD Sali Berisha, i cili duke paraqitur disa pamje filmike një ditë para zgjedhjeve, denoncoi kandidaten e PS, si shpërndarësen e ndihmave për blerjen e votës së zgjedhësve./tvklan.al