Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Nuk ka zgjatur vetëm disa minuta protesta paqësore e ish-të përndjekurve politikë, të cilët kërkojnë nga qeveria dëmshpërblim të kompensuar me çmimet reale të tregut. Të mbledhur para godinës së Avokatit të Popullit, krerët e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, të mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Balli Kombëtar dhe Legalitetit, bënë thirrje për mos ndërprerje të protestave, derisa qeveria të plotësojë kërkesat e ngritura.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vetëm pas pak minutave të fillimit të protestës janë vërejtur shumë uniforma blu. Forcat e policisë së kryeqytetit janë rreshtuar, për të ndalur protestuesit që kanë dashur të kalojnë në anën tjetër të rrugës, për të qëndruar para godinës së Kryeministrisë. Për mosbindje forcat blu kanë shoqëruar për në komisariatin e policisë, disa prej protestuesve. Si deputetët, ashtu dhe drejtuesit e protestës kanë dënuar ndërhyrjen e dhunshme të policisë.

Shpëtim Rroqi:- “Kjo ishte gjë e përgatitur, ishte tejet e përgatitur, ju e shikoni se sa policë kanë sjellë, mesa duket janë trembur dhe kjo tregon se problemi i tyre do të zgjidhet, por mesa duket se këta nuk duan ta zgjidhin me bisedime dhe me logjikë, por me rrugë ekstreme”.

Protestuesi:- “Policia po shkel një ndër të drejtat themelore të njeriut, kanë marrë në formë të dhunshme dhe kryetarin e protestës Adem Allçin. Kemi disa herë që kemi kërkuar në forma paqësore, tani kemi lajmëruar në Ambasadën Amerikane, kemi lajmëruar dhe njerëzit e OSBE-së, për formën e dhunshme që po përdor policia shqiptare, sepse këtu po demonstrohet në formë paqësore, nuk po thyen as institucione”.

Tubimi ka zgjatur rreth një orë, ndërkohë që ish-të përndjekurit politikë kanë deklaruar se do t’i vazhdojnë protestat e tyre, deri në plotësim të kërkesave./tvlan.al

Gazetare – Eva Paja