Mbi 50 persona janë shoqëruar në polici në lidhje me protestën e djeshme në Tiranë. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se në pranga kanë rënë 2 qytetarë, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë deputetët që organizuan protesën.
Për afro 3 orë, opozita protestoi mbrëmjen e djeshme duke bllokuar 5 akset kryesore në kryeqytet para Bashkisë së Tiranës, sheshin “Willson”, rrethrrotullimin e Zogut të Zi, Pallatin me Shigjeta dhe kryqëzimin e rrugës së Elbasanit.
Policia e cilësoi të paligjshëm tubimin e opozitës, duke i kërkuar të zhbllokonte rrugët dhe lejonte qarkullimin e automjeteve. Por demokrati Flamur Noka kërkoi nga uniformat blu që të mos provokonin protestuesit, pasi tubimi do të ishte paqësor.
Megjithatë situata vijoi e tensionuar mes protestuesve dhe policisë në akset e bllokuara deri në përfundimin e protestës.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me protestën e zhvilluar më datë 26.11.2024, në disa akse rrugore në Tiranë, ka vijuar veprimet hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shoqërimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që kanë organizuar tubimet, kryer veprime kundërshtuese dhe të dhunshme, që kanë penguar lëvizjen e automjeteve dhe bllokuar akset rrugore.
U arrestua në flagrancë shtetasi S. N., banues në Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
U arrestua në flagrancë shtetasi I. H., 53 vjeç, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”. Ky shtetas, me veprime të dhunshme ka bllokuar lëvizjen e një automjeti tip “Benz”, duke bllokuar rrugën, dhe ka goditur drejtuesin e mjetit shtetasin A. G. Drejtuesi i mjetit u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
U procedua në gjendje të lirë shtetasi E. M., banues në Tiranë, me detyrë Sekretar për Organizimin dhe Burimet Njerëzore pranë subjektit politik Partia Demokratike, për veprëm penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
U proceduan shtetasit F. N., (deputet) për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, dhe G. B., O. B., L. B., B. N., L. G., S. K., P. V., A. D., A. V., O. B., P. D., I. C., A. U., G. B., L. M., dhe L. B., (deputetë) për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”.
Gjithashtu u proceduan penalisht 64 shtetas për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
/tvklan.al